Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, ka nisur procesin e verifikimit dhe saktësimit të të dhënave për çdo abonent qoftë ky familjarë apo privat. Sipas kreut të OSSH-së Sahit Dollapi, nëpërmjet këtij aksioni më i madh i ndërmarrë deri më sot synohet jo vetëm regjistrimi por dhe kontrolli i adresave të sakta ndaj të gjithë abonentëve. Ky proces pritet të evidentoj dhe abuzimet në faturimin e energjisë elektrike.

Sahit Dollapi: “Ne do të kontrollojmë nivelin e faturimit, saktësinë e faturimit të qytetarëve, do regjistrojmë adresat e sakta të çdo biznesi të çdo qytetari mënyrën e furnizimit, sasinë e furnizimit. Pra thuajse është një regjistrim i cili përputhet edhe me regjistrimin që i bëhet popullsisë. Çdo abonent ose çdo qytetar do të ketë kartën e vet dhe do të ketë formularin e vet të furnizimit me energji elektrike. Gjithashtu do merren masa për të gjithë ata punonjës të cilët nuk ka në qenë korrekt, qoftë në mënyrën e furnizimit ose në dhënien e mundësisë së furnizimit të qytetarëve në mënyrën e leximit të matësit ose me saktësinë e matësit, ose në fshehjen e abonentëve për të gjitha shkeljet që do gjinden ose që do kapen gjatë këtij regjistrimi, ne do t’u drejtohemi organeve të prokurorisë dhe organeve të drejtësisë për marrjen e masave”.

Edhe pse kreu i OSSH-së nuk dha një afat se kur pritet të përfundoj aksioni për regjistrimin dhe kontrollin ndaj abonentëve. Ai u shpreh se janë mbi 1 milion e 100 mijë të tillë të cilët duhet të plotësojnë dokumentacionin  përkatës në zyrat e OSSH-së, pjesë e të cilave janë kontratat, libreza si dhe çdo dokument tjetër i lëshuar nga këto zyra për lidhjen e rrjetit shpërndarës.

Procesi i nisur në kryeqytet pritet të shtrihet në të gjithë vendin dhe sipas drejtuesve të OSSH-së, mosparaqitja e dokumentacionit nga abonentët do të çoj në ndërprerjen e  energjisë elektrike./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Petrit Xhaferri