Aktori i vlerësuar me çmime, Owen Cooper, vetëm 16 vjeç, është protagonist në videoklipin e ri të këngës ikonike të grupit “The Beatles”, “In My Life”.

Videoklipi shoqëron një version të ri të këngës, e cila është pjesë e albumit “Rubber Soul”, të publikuar në vitin 1965. Projekti i ri i kushtohet qytetit të Liverpool-it, vendlindjes së grupit legjendar britanik, raporton BBC.

Aktori, i lindur në Warrington, shfaqet në videoklip mes disa prej vendeve më emblematike të Liverpool-it, si ndërtesa historike Royal Liver Building, Katedralja e Liverpool-it, Albert Dock dhe qendra e dikurshme e jetimëve Strawberry Field.

Owen Cooper u bë i njohur ndërkombëtarisht falë rolit të tij në serialin dramatik të Netflix, “Adolescence”, interpretim për të cilin u vlerësua edhe me çmimin Emmy.

Videoklipi është realizuar nën regjinë e Jessica Swale dhe Irina Alexiou dhe rrëfen historinë e një ukuleleje, e cila lidh disa breza të së njëjtës familje përmes dashurisë së përbashkët për muzikën.

Ngjarjet zhvillohen në Liverpool-in e periudhës së pasluftës, në vitet 1960 dhe në ditët e sotme. Përmes historisë së instrumentit muzikor, kënga kalon nga njëri anëtar i familjes te tjetri, duke u bërë pjesë e kujtimeve dhe përjetimeve të tyre ndër vite.

Në videoklip përfshihen edhe disa skena që u bëjnë homazh historisë së Beatles. Njëra prej tyre, e xhiruar jashtë kinemasë Woolton Picture House, i referohet kopertinës së famshme të albumit “Abbey Road”.

/tvklan.al