Gjykata Kushtetuese ftoi palët në debatin publik dhe juridik mbi pagat e magjistratëve të lexojnë dhe zbatojnë vendimin saj të 17 shkurtit 2026.
Në një deklaratë për mediat, Kushtetuesja thotë se arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit, është qendrimi zyrtar i saj për këtë çështje, duke shtuar se ai është i detyrueshëm për zbatim.
“Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të. Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike”, thuhet në reagimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuesja sqaron më tej se mënyra se si ajo vetë funksion në administrimin e brendshëm, nuk ka lidhje me vendimin për pagat e magjistratëve.
“Mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij”, thuhet në reagimin e GJK-së.
Prej disa ditësh pagat e magjistratëve janë bllokuar në Thesarin e Shtetit, pasi i gjithë sistemi dërgoi formulën e re të përllogaritjes pas dy vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorisë, që përcaktuan vetë pagën referencë.
Kryeministri Edi Rama e konsideron këtë vendimmarrje të Këshillave si ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, që sipas tij janë të vetmit që propozojnë dhe më pas miratojnë pagat.
Por teksa qeveria thotë se ngërçi do të zgjidhet në Parlament, shoqatat e prokurorëve dhe gjyqtarëve mbrojnë vendimmarrjen e KLGJ dhe KLP, me një paragraf të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që sipas tyre ka parashikuar edhe rastet e mosveprimit të Parlamentit.
/tvklan.al












Botërori 2026 