8 shtator 2026 – Në një deklaratë për mediet këtë të martë, pas Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për dy temat më të diskutuara të momentit. Për Reformën Territoriale, e cila pritet të jetë në qendër të debatit të sotëm parlamentar, tha se është e nevojshme të respektohet afati 60-ditor për konsultimet vendore.
“Para se Komisioni i Ligjeve dhe më pas seanca plenare të shprehet, ka një afat që këshillat bashkiakë në konsultim me komunitetet, të përfundojë 60 ditë nga dita e marrjes së njoftimit të projektiligjit që besoj mbaron diku nga data 27 shtator. Do kemi përsëri komunikim më 28 shtator, që është prapë e hënë. Qytetarët kanë mandatuar Kuvendin për të marrë vendime dhe në respekt të këshillave bashkiakë do të presim afatin 60 ditor. Do dal para jush sërish dhe do t’ju them! Ka qenë një proces model për t’u ndjekur gjithmonë”, nënvizoi ai.
Sa i takon projektligjit për pagat e magjistratëve sqaroi se “nuk do të kalojë me procedurë të përshpejtuar” dhe se do t’i nënshtrohet shqyrtimit në Kuvendin e Shqipërisë më 17 shtator.
“Në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm dy deputetë të PS-së kanë dorëzuar një projektligj që adreson vendimin e Kushtetueses. Kështu po e ushtrojmë përgjegjësinë që na takon. Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator. Në demokraci, secili ka këndvështrimin e vet, jurisprudenca nuk është ekzakte. Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Është një projektligj që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.
Atyre që iu djeg barku, që kur iu teket shkojnë e shajnë me libër shtëpie prokurorë dhe gjyqtarë dhe sot mendojnë se duhet të mbështesin pagat e gjyqtarëve… Si qytetar, mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, theksoi ai.
“Është shumë e rëndësishme që deputeti, çdo problematikë, çdo hall të qytetarëve ta adresojë përmes kanaleve që i përcaktohen zyrtarisht. Ka deputetë që e kanë bërë siç duhet këtë detyrë, ka vetëm një derë ku trokitet dhe jo rastësisht PS është partia më e votuar në vend. Në këtë mandat të katërt kemi një kthesë historike për komunikimin me qytetarët”, shtoi ai referuar nismës së re “Prania Besnike”.
“Ora 17:00 e çdo të premteje, do të jetë orë fikse edhe për vitet që do të vijnë. Nëse ka një sfidë Kuvendi në këtë fillim sesioni është pikërisht ligji për organizimin e Kuvendit. Do të vijmë me propozime konkrete, ku do të përfshihet edhe legjislativi”, deklaroi Balla lidhur me atë që pritet në këtë sezon të ri politik e më tej.
Ndërkohë, nga opozita, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve…(Lexo më shumë)
Bardhi u shpreh se projektligji i propozuar nga dy deputetë socialistë bie ndesh me vendimin e Kushtetueses, ndërsa paralajmëroi se vijimi i bojkotit nga sistemi i drejtësisë rrezikon të sjellë një krizë të thellë në funksionimin e saj, për të cilën përgjegjësinë ia atribuon qeverisë.












Botërori 2026 
