Papa Leon XIV , i pari papë nga Shtetet e Bashkuara, ka kritikuar shfaqjen e lëvizjeve politike nacionaliste dhe “mentalitetin përjashtues” që ato sjellin.
Gjatë Meshës së Pentekostit, në Sheshin Shën Pjetri në Vatikan, përpara dhjetëra mijëra besimtarëve, ai u lut që Zoti të “hapë kufijtë, të rrëzojë muret dhe të largojë urrejtjen.”
“Nuk ka vend për paragjykime, për ‘zona sigurie’ që na ndajnë nga fqinjët tanë, për mentalitetin përjashtues që, fatkeqësisht, po e shohim të shfaqet edhe në nacionalizmat politikë,” tha Papa Leon. Kjo thirrje e tij vjen në një kohë që Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ndërmarrë një sërë politikash ndaj vendeve të tjera, qoftë në sektorin ekonomik e deri te kufizimet për emigrantët.
Edhe Papa Françesku i ndjerë, ishte një kritik i hapur i Trump. Në janar, ai e quajti planin e Trump për të dëbuar miliona emigrantë në mandatin e tij të dytë një “turp”, duke theksuar “një person që mendon vetëm për ndërtimin e mureve dhe jo për ura lidhëse, nuk është i krishterë.”
Papa Leon po kremtonte Rrëshajët, 50 ditë pas Pashkëve, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin katolik. Ai bëri thirrje për përfshirje dhe solidaritet ndërmjet popujve.
/tvklan.al












Botërori 2026 
