Nga Turqia, Papa Leoni XIV ka vijuar udhëtimin e tij apostolik në Liban, ku Ati i Shenjtë u prit me një ceremoni mirëseardhje të veçantë.
Kjo vizitë ka një simbolikë të veçantë për Papën e parë amerikan, i cili ka kërkuar paqe dhe dialog në Lindjen e Mesme. Ati i Shenjtë, duke folur për gazetarët, u ndal te kriza në Gaza dhe situata në Lindjen e Mesme. Ai deklaroi se Vatikani sheh si zgjidhje të vetme të këtij konflikti, krijimin e dy shteteve, Palestinës dhe Izraelit.
“Selia e Shenjtë, tashmë prej disa vitesh, mbështet publikisht propozimin për zgjidhjen me dy shtete. Të gjithë e dimë se për momentin Izraeli ende nuk e pranon atë zgjidhje, por ne e shohim si të vetmen rrugë, që mund të ofrojë një zgjidhje për konfliktin që ata e përjetojnë vazhdimisht. Ne jemi gjithashtu miq të Izraelit dhe përpiqemi të jemi me të dyja palët një zë, të themi, ndërmjetësues, që mund të ndihmojë në afrimin drejt një zgjidhjeje me drejtësi për të gjithë”, tha Papa Leoni.
Teksa për luftën në Ukrainë, tha se ka disa propozime konkrete, por se shpreson që edhe Turqia të ndërmjetësojë me Rusinë për arritjen e armëpushimit.
Ndërsa, në fjalimin e tij drejtuar autoriteteve libaneze, Papa nënvizoi rëndësinë e paqes dhe rolin që luajnë të rinjtë dhe gratë në këtë drejtim.
“Dua të theksoj rolin thelbësor të grave në angazhimin e mundimshëm dhe të durueshëm për ruajtjen dhe ndërtimin e paqes. Gratë kanë një aftësi specifike për të punuar për paqen, sepse ato dinë të ruajnë dhe zhvillojnë lidhje të thella me jetën dhe me njerëzit”, deklaroi Ati i Shenjtë.
Ati i Shenjtë u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve fetarë dhe civilë të rrisin ndërgjegjësimin brenda bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar një të ardhme për të rinjtë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
