Sa shumë ndryshon bota për një dekadë. Nëse duam një shembull vizual për sa shumë ka ndryshuar bota, mjafton të shohim një foto nga parada që po mbahet sot në Pekin dhe ta krahasojmë me një foto të vjetër nga e njëjta paradë që u mbajt në vitin 2015, për të shënuar 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Atëherë ishte presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye, që qëndronte krah për krah me presidentin Xi dhe presidentin Putin. Kim Jong Un mungonte. Koreja e Veriut kishte dërguar një zyrtar partie në vend të tij.

Por sot, Kim ka marrë gjithë vëmendjen, ndërsa presidenti i Koresë së Jugut mungon. Siç shkruan BBC, presidenti Lee Jae Myung e mori një ftesë, por e refuzoi. Në vend të tij, Seuli ka dërguar kryetarin e parlamentit.

Koreja e Jugut ende e konsideron Kinën një partner të rëndësishëm, por më e rëndësishme është marrëdhënia që ka me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Të tre vendet po punojnë më ngushtë për të përballuar kërcënimet që vijnë nga Kina dhe Koreja e Veriut dhe presidenti Lee, i zgjedhur vetëm në qershor, ka qenë i etur t’i tregojë presidentit Trump sa shumë e vlerëson këtë partneritet.

Sot, Xi, Putin dhe Kim përfaqësojnë një treshe kundërpeshë ndaj Uashingtonit, Seulit dhe Tokios.

Kina ka prezantuar sot armë me lazer, raketa bërthamore balistike dhe dronë në paradën ushtarake për 80-vjetorin e fitores ndaj Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.