Prej 4 ditësh vijojnë luftimet në Ukrainë pasi Rusia ndërmori një sulm ushtarak për ta pushtuar.

Përmbledhje:

◾BE-ja po ndërmerr hapin e paprecedentë për të dërguar të armëve në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë. Ajo gjithashtu vendosi të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët rusë dhe të ndalojë mediat shtetërore ruse.

◾Shtetet anëtare do të marrin gjithashtu refugjatë ukrainas dhe do të anashkalojnë procesin e zakonshëm të aplikimit për azil

◾Vladimir Puti, ka urdhëruar ushtrinë ruse që të vendosë forcat e saj bërthamore në “gatishmëri të veçantë”. Ky është niveli më i lartë i gatishmërisë i Forcës Raketore Strategjike të Rusisë. Ai thotë se kjo është kundërpërgjigje ndaj “agresionit” të NATO-s.

◾Analistët thonë se kjo është një përpjekje për të dëmtuar NATO-n dhe nuk do të thotë se ai synon të përdorë armët. SHBA e dënoi lëvizjen duke e quajtur të papranueshme. NATO e cilësoi të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.

◾Trupat ukrainase janë nën kontrollin e qytetit të dytë më të madh të Ukrainës. Lajmi është konfirmuar nga guvernatori i Kharkiv.

◾Ukraina thotë se 4,300 rusë kanë vdekur që prej fillimit të pushtimit, shifër kjo që nuk është e verifikuar

◾Zyrtarët rusë dhe ukrainas pritet të mblidhen të hënën në një vend pranë kufirit me Bjellorusinë për bisedime.

◾Gjermania u zotua për një rritje masive të shpenzimeve për mbrojtjen, një ndryshim i madh i politikës së saj.

Zelensky: Na është dashur që secili prej nesh të jetë një luftëtar

Në një postim të fundit në Instagram, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është shprehur me besim se ukrainasit do të fitojnë. Ndër të tjera, Zelensky ka thënë se tanimë secilit prej tyre u duhet të luftojnë për vendin.

“Kur po kandidoja për president thashë se secili prej nesh është President. Sepse të gjithë jemi përgjegjës për shtetin tonë, për Ukrainën tonë të bukur. Dhe tani na është dashur që secili prej nesh të jetë një luftëtar.  Luftëtari është në vendin e tij. Dhe kam besim se secili prej nesh do të fitojë. Lavdi Ukrainës”, është shprehur Zelenskiy.

‘Kohë e vështirë’ për ushtrinë ukrainase

Ushtria e Ukrainës sapo ka dhënë një përditësim mbi luftimet e së dielës.

Duke shkruar në Facebook, shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës e përshkroi të dielën si “një kohë të vështirë” për ushtrinë, duke thënë se trupat ruse “vazhdojnë granatimet në pothuajse të gjitha drejtimet”.

BBC thotë se raportet e fundit sugjerojnë se trupat ruse kanë marrë portin jugor të Berdyansk, por më parë Ukraina tha se kishte luftuar kundër një sulmi në qytetin e dytë më të madh të vendit, Kharkiv.

Ukraina, padi kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare

Ukraina ka paraqitur një kërkesë padi kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për një “mosmarrëveshje … lidhur me interpretimin, zbatimin dhe përmbushjen e Konventës së vitit 1948 për Parandalimin e Ndëshkimit të Krimeve të Genocidit”, sipas një njoftimi të gjykatës mbi dosjen, të përcjellë nga CNN.

Në aplikim, Ukraina thotë se Rusia “ka pretenduar në mënyrë të rreme për akte gjenocidi në rajonet separatiste të Luhansk dhe Donetsk, duke bërë që më pas të deklaronte dhe të zbatonte një “operacion special ushtarak” kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Presidenti Volodymyr Zelensky e njoftoi lajmin në Twitter, duke kërkuar një “vendim urgjent” nga gjykata.

Ukraina po ashtu e ka akuzuar Rusinë për planifikim të akteve të genocidit në këtë shtet dhe thotë se Rusia po vret qëllimisht dhe po plagos rëndë shtetasit e Ukrainës.

Johnson: Alarmi bërthamor i Putin, shpërqendrim

Boris Johnson thotë se vënia e forcave bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë nga Vladimir Putin është “një shpërqendrim nga realiteti i asaj që po ndodh në Ukrainë”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar lavdëroi ukrainasit për “luftimin… me më shumë rezistencë nga sa kishte parashikuar Kremlini”“Ajo që po ndodh në kontinentin europian është një katastrofë absolute”, tha ai.

Johnson po ashtu ka dyshime mbi negociatat e mundshme midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në përpjekje për të zgjidhur krizën.

Presidenti Volodymyr Zelensky ra dakord që të dyja palët mund të takohen në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, duke refuzuar fillimisht një ofertë për bisedime në Bjellorusi. Por Johnson thotë se nuk ka parë asgjë që të sugjerojë se Putin është i vërtetë në ofertën e tij.

“Ukraina” kalon në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, miratohet propozimi i Shqipërisë dhe SHBA

Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi për dërgimin e çështjes së Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për një seancë të posaçme urgjente. Vendimi morri 11 vota të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit nga 9 që ishte minimumi i nevojshëm.

Kjo u pa si zgjidhje për bllokimin që Rusia i bëri me veto rezolutës së propozuar nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me situatën në Ukrainë.  Vendimi është përshëndetur nga Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka e cila nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale thotë se edhe një herë Rusia u izolua.

Miratim i fuqishëm i rezolutës së propozuar nga Shqipëria dhe SHBA. Sesioni Special i Emergjencës i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u mbështet nga 11 anëtarë të OKB-së. Edhe një herë Rusia u izolua. Bota nuk do të heshtë”, shkroi Xhaçka.

Franca-qytetarëve të saj: Largohuni pa vonesë nga Rusia

Franca ka “rekomanduar fuqimisht” që çdo shtetas i saj aktualisht në Rusi të largohet “pa vonesë” nga ky vend. Kjo vjen pasi Bashkimi Europian njoftoi se po mbyllte të gjithë hapësirën ajrore për avionët rusë.

Në një deklaratë në faqen e internetit të Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet: “Për shkak të kufizimeve në rritje në trafikun ajror midis Rusisë dhe Europës, rekomandohet fuqimisht që francezët që kalojnë nëpër Rusi (turistët, vizitorët, studentët, profesionistët në mision) të marrin masa për t’u larguar nga vendi pa vonesë me linjat ajrore ekzistuese.”

Po ashtu, francezët këshillohen që të shtyjnë çdo udhëtim të planifikuar në Rusi.

SHBA paralajmëron amerikanët në Rusi: Konsideroni largimin e menjëhershëm

Ambasada e SHBA në Rusi paralajmëroi shtetasit amerikanë të dielën se duhet të konsiderojnë largimin “menjëherë” për shkak të numrit në rritje të linjave ajrore që anulojnë fluturimet brenda dhe jashtë vendit dhe mbyllin hapësirën e tyre ajrore për linjat ajrore ruse.

“Një numër në rritje i linjave ajrore po anulojnë fluturimet drejt dhe jashtë Rusisë dhe shumë vende kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për linjat ajrore ruse. Qytetarët amerikanë duhet të konsiderojnë largimin menjëherë nga Rusia përmes opsioneve komerciale që janë ende të disponueshme”, tha ambasada, siç raporton CNN.

“Ambasada e SHBA-së u kujton qytetarëve amerikanë se niveli i Këshillimit për Udhëtime i Departamentit të Shtetit për Rusinë është në ‘Nivelin 4: Mos udhëtoni’”, thuhet më tej në deklaratë.

“Mos i besoni gënjeshtrave”, kryebashkiaku: Lajmi se Kievi është i rrethuar është dezinformim

Vetëm pak kohë më parë, BBC raportoi se kryebashkiaku i Kievit tha për Associated Press se qyteti i tij ishte rrethuar nga forcat ruse. Tani Vitali Klitschko thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe se në fakt bëhet fjalë për keqinformim.

Duke shkruar në aplikacionin e mesazheve Telegram, ai tha: “Publikimet ruse në internet përhapën informacion duke m’u referuar mua, që Kievi është i rrethuar dhe evakuimi i njerëzve është i pamundur. Mos i besoni gënjeshtrat. Besoni vetëm informacionet nga burimet zyrtare”.

BBC shkruan më tej se si gjithnjë situata mbetet fluide.

Në kryeqytetin ukrainas mbetet në fuqi shtetrrethimi. Shumë prej banorëve janë strehuar në bodrume dhe stacionet nëntokësore.

Ukrainë: 352 civilë të vrarë që prej pushtimit rus

Ministri i Shëndetësisë së Ukrainës njoftoi mbrëmjen e kësaj të diele se numri i civilë të vrarë që prej nisjes së pushtimit rus ka shkuar në 352. Në mesin e tyre 14 janë fëmijë.

Po ashtu, sipas autoriteteve ukrainase, 1,684 persona, mes të cilëve 116 fëmijë kanë mbetur të plagosur.

FIFA ndalon ndeshjet e futbollit në Rusi, flamurin dhe himnin për ekipin

Asnjë ndeshje ndërkombëtare futbolli nuk do të luhet në Rusi dhe flamuri dhe himni rus do të ndalohen nga çdo ndeshje e tyre jashtë vendit. Ky është vendimi i marrë nga FIFA mbrëmjen e kësaj të diele.

FIFA tha se ekipi kombëtar nuk do të garojë nëpër kompeticione si ‘Rusi’, por si Unioni i Futbollit të Rusisë (RFU) dhe çdo lojë do të mbahet pa tifozë, në “territor neutral”. Vendimi vjen si pjesë e sanksioneve kundë Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

BE bie dakord për të marrë refugjatët ukrainas për 3 vjet

Bashkimi Europian në mënyrë unanime ka rënë dakord për të marrë refugjatët ukrainas, për më shumë se 3 vjet, pa kërkuar prej tyre që më parë të aplikojnë për azil.

Lajmi u bë u ditur nga Ministri i Brendshëm gjerman dhe pritet që më shumë detaje rreth këtij vendimi të ketë në vijim.

Që prej nisjes së agresionit rus një numër i madh njerëzish po arratisen nga Ukraina drejt vendeve fqinje, Polonia dhe Moldavia.

Protestë kundër sulmit rus në Tiranë

Protestave të nisura në mbarë botën kundër agresionit rus ndaj Ukrainës iu bashkuan edhe qindra qytetarë shqiptarë. Me flamurin e Ukrainës në duar dhe thirrje për ndaljen e luftës ata marshuan përpara ambasadës Ruse në Tiranë.

Ambasadori Ukrainas në Tiranë, Volodymyr Shkurov, i cili iu bashkua protestës konfirmoi edhe vendimin më të fundit të qeverisë shqiptare për mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë.

“Shqipëria i është bashkuar të gjitha rezolutave në OKB dhe ju e dini që aty parashikohet edhe moscenimi i territorit të Ukrainës. Nga sanksionet që ka miratuar Shqipëria, ajo e mbështet në mënyrë të plotë Ukrainën. Ka marrë një vendim që do të ndalojë edhe hapësirën ajrore të saj për avionët rus.”

Në emër të bashkëkombësve të tij diplomati ukrainas nuk u kursye në falenderime për popullin shqiptar duke bërë thirrje për ndaljen e agresionit, që nuk po kursen jetë njerëzish.

“Populli shqiptarë ka sjellë shumë ndihma që konsistojnë në ushqime e medikamente, njëherazi edhe ndihma monetare në numrin e llogarisë së ushtrisë  ukrainase dhe këto janë veprime që më detyrojnë mua tu them në emër të kombit tim faleminderit Shqipërisë e shqiptarëve. Sot populli juaj po me mëson që kështu duhet të jetë e kështu duhet të bëhet, ndaj përulem me respekt përpara shqiptarëve”.

Ambasadori Shkurov adresoi edhe një apel ndaj popullit rus që  të ndalojë ofensivën e Presidentit Putin dhe t’i bashkohet protestave të nisura në mbarë botën për dhënien fund të luftës.

Rezistenca ukrainase ndal përparimin e ushtrisë ruse

Në betejën për marrjen e Kievit, rusët duken se nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Kjo video, si shumë të tjera të hedhura nga terreni në rrjetet sociale tregon dëmet që po u shkaktojnë ushtarët ukrainas. Në periferitë e kryeqytetit shpesh shfaqen tanke rusë të djegur pas betejave të armatosurapo ashtu edhe makineri të tjera të rënda ushtarake… dhe ushtarë rusë, që dorëzohen. Të tjera pamje faktojnë se si ushtarët ukrainas marrin nën kontroll automjete ushtarake të braktisura nga rusët.

Betejë edhe në Harkivin kufitar me Rusinë. Falë rezistencës së ashpër, ukrainasit e morën sërish kontrollin e plotë, pas rusët hynë në thellësi të qytetit në orët e para të së Dielës. Rezistencë kudo edhe nga civilët, të cilët pengojnë avancimin e tankeve duke u dalë atyre përpara.

Në këtë hartë, me të kuqe tregohen territoret e pakta të marra nën kontroll nga rusët. Forcave ukrainase po u vijnë në ndihmë edhe dronët turq “Bajraktar”, të përdorur edhe në ndihmë të ushtrisë së Azerbajxhanit në konfliktin për Nagoro Karabakun në 2020, që çuan në kapitullimin e menjëhershëm të Armenisë.

Zyrtarët ukrainas thonë se në betejë është vrarë edhe komandanti i trupave çeçene, aleate të rusëve, në betejën e Ukrainës, Mahomed Tushaev, i dekoruar me grada të larta nga Vladimir Putin.

Sipas Kievit, bilanci i të vrarëve mes trupave ruse është thelluar në 4 300, një shifër për të cilën Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka bërë asnjë koment. Me qindra janë edhe ushtarët ukrainas të vrarë. Sulmi rus i ka marrë jetën deri më tani edhe të paktën 240 civilëve të pafajshëm.

Përjashtohen nga Swift bankat e mëdha ruse

Perëndimi i jep një goditje të rëndë financave ruse si ndëshkim për goditjen ushtarake ndaj Ukrainës. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Europian dhe Kanadaja bllokuan përdorimin nga bankat më të mëdha të Rusisë, të sistemit Swift. Vendet e unionit vendosën po ashtu të bllokojnë hapësirën ajrore për fluturimet nga Rusia, duke bërë që mijëra fluturime të anulohen apo të devijohen drejt aeroporteve të vendeve fqinje.

Goditja më e rëndë për Rusinë është përjashtimi i bankave kryesore të Rusisë nga sistemi më i madh botëror i transfertave bankare. Kjo masë pritet të rrënojë ekonominë ruse, pasi bën thuajse të pamundur shitjen e naftës dhe gazit rus, burimi kryesor i të ardhurave për Moskën. 

“Bashkimi Europian dhe partnerët e tij po punojnë për të bërë ç’është e mundur që sakatojnë aftësinë e Putinit për të financuar makinerinë e tij të luftës”.

Pasojat ishin të menjëhershme në Rusi. Vështirësimi i procedurave bankare solli mungesën e parave nëpër banka, e për pasojë edhe këto radhë të gjata të qytetarëve nëpër bankomatë, në pritje për të tërhequr para. Rusët po ashtu nuk mund të kryejnë blerje apo shitje online. Sistemi Suift përfshin 11 mijë banka dhe institucione financiare të rëndësishme në gjithë botën.

Një tjetër masë është edhe bllokimi i aseteve të bankës qëndrore të Rusisë, çka bën që Moska të mos përdorë dot më rezervat financiare që ka jashtë vendit. Reuters shpërllogarit të paktën 200 miliardë dollarë asete bankare, që Rusia i ka depozituar në banka ndërkombëtare. Sanksionet perëndimore pritet të prekin së shpejti edhe asetet e miliarderëve rusë në perëndim.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mirëpriti këto masa, të cilat ai e kishte kërkuar prej javësh.

Kievi dhe Moska pranojnë të ulen në bisedime

Zyrtarët e Kievit dhe të Moskës do të ulen për të biseduar në përpjekje për të ulur tensionet që rrezikojnë ta shndërrojnë luftën në Ukrainë në konflikt bërthamor global. Delegacionet nga dy vendet do të takohen në Hënën në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë, pranë lumit Pripjat.

Dakordësia u arrit gjatë një bisede telefonike që presidenti ukrainas Volodimir Zelenski zhvilloi me homologun bjellorus Aleksandër Lukashenko. Zelenski tha se Lukashenko e kishte siguruar se Bjellorusia nuk do t’i bashkohej me trupa Rusisë e as do të lejonte hedhjen e të tjera raketave ruse drejt Ukrainës, nga territori i vendit të tij. Megjithatë kreu i shtetit ukrainas u shpreh se nuk priste shumë nga ky takim edhe pse tha se kishte pranuar, për t’i dhënë një tjetër mundësi zgjidhjes diplomatike. Fillimisht u njoftua për një takim në Gomel, qytetin e dytë më të madh të Bjellorusisë.

Më herët, Zelenski refuzoi ofertën e Moskës për bisedime në Minsk, me argumentimin se Bjellorusia nuk ishte më vend neutral dhe se territori i këtij vendi ishte shfrytëzuar nga rusët për të sulmuar Ukrainën. Por Moska i vendosi ultimatum, sipas të cilit nëse Zelenski nuk binte dakord deri në orën 13:00 të së Dielës sipas orës lokale për bisedime, situata do të hynte në një rrugë pa kthim.

Putin nxjerr armët bërthamore. Reagon ashpër perëndimi: Vendim i rrezikshëm

Lufta në Ukrainë rrezikon të kapërcejë kufijtë dhe të përshkallëzohet në një konflikt bërthamor me pasoja të paparashikueshme. Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi krerët e ushtrisë të vendosin në gatishmëri të lartë të arsenalit bërthamor, pas miratimit të sanksioneve të ashpra ekonomike nga perëndimi.

“Siç mund ta shihni, vendet perëndimore jo vetëm që marrin masa armiqësore ndaj vendit tonë në dimensionin ekonomik – dhe këtu e kam fjalën për sanksionet e paligjshme, por edhe zyrtarët e lartë të vendeve kryesore të NATO-s që i lejojnë vetes të bëjnë deklarata agresive ndaj nesh. Prandaj urdhëroj ministrin e mbrojtjes dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, të vendosin forcat parandaluese ushtarake në gatishmëri të lartë luftarake”.

Perëndimi reagoi ashpër ndaj vendimit të Moskës. Në Uashington, zëdhënësit e Pentagonit e quajtën këtë, “ndryshim të qëndrimit të Rusisë” sa i përket zotimeve të menjëhershme për të mos i përdorur armët bërthamore. Për Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, ky vendim është i panevojshëm dhe mund ta nxjerrë situatën jashtë kontrollit.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg e quajti vendimit “të papërgjegjshëm” dhe “një retorikë tepër të rrezikshme”. Rusia disponon të paktën 6 400 koka me mbushje bërthamore, më shumë se gjysma e totalit të të gjithë botës dhe renditet e para në shkallë globale mes fuqive bërthamore.

Për herë të parë që prej 1939: Suedia do të dërgojë armë në Ukrainë

Suedi njoftoi këtë diel se do të dërgojë pajisje ushtarake dhe ndihma të tjera në Ukrainë. Teksa njoftoi lëvizjen, kryeministrja Magdalena Andersson tha se kjo është hera e parë që Suedia çon armatime në një vend në konflik, që prej pushtimin sovjetik të Finlandës në vitin 1939.

“Konkluzioni im është se mënyra më e mirë për të ruajtur siguria tonë tani është duke mbështetur aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten kundër Rusisë”, tha Andersson.

Vendimi i Suedisë vjen pasi Bashkimi Evropian njoftoi se do të blinte armë dhe do t’ia dorëzonte ato Ukrainës, hera e parë në histori që BE ndërmerr një hap të tillë.

Një raketë e lëshuar nga Bjellorusia godet aeroportin në veri të Ukrainës

Një këshilltar i Ministrisë së Brendshme Ukrainase raportoi gjatë pasdites për një raketë të lëshuar nga Bjellorusia në veri të Ukrainës. Duke cituar të njëjtin burim, BBC raporton se raketa goditi aeroportin në qytetin e Zhytomyr.

Kjo është ajo që u godit nga raketa e gjuajtur nga Bjellorusia rreth orës 17:00… Fashistët rusë dhe bjellorusë kanë vënë në shënjestër Aeroportin Zhytomyr”, tha zyrtari i ministrisë, Anton Herashchenko.

Zelensky: Nuk pres shumë nga takimi i së hënës, por le ta provojnë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një deklaratë të shkurtër televizive se nuk pret shumë nga takimi midis delegacioneve ukrainase dhe ruse, që do të zhvillohen të hënën.

Do të jem i sinqertë, si gjithmonë: Nuk besoj shumë se ky takim do të ketë rezultate, por le ta provojnë, në mënyrë që asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshim se unë, si president, nuk u përpoqa ta ndaloja luftën kur ekzistonte qoftë edhe një shans i vogël”, tha Zelensky.

“Dhe teksa djemtë tanë janë atje, presidenti është këtu, shefi i shtabit është këtu, kryeministri është këtu, ushtria është këtu, komandanti i përgjithshëm është këtu. Të gjithë do të mbrojmë shtetin dhe kufijtë tanë”, shtoi ai.

Më herët të dielën, zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin tha se bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase do të zhvillohen të hënën në mëngjes me orën lokale, në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë.

Shqipëria mbyll hapësirën ajrore për Rusinë, Ministrja Xhacka prezanton listën e plotë të sanksioneve

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, informoi pasditen e kësaj të diele për vendimet e qeverisë shqiptare, në kuadër të aleancës ndërkombëtare me Ukrainën kundër pushtimit rus.

“Shqipëria iu është bashkuar masave shtrënguese të BE kundër Rusisë. Po hartojmë bazën ligjore për zbatimin e këtyre masave shtrënguese. Këto masa kanë karakter individual dhe ekonomik. Ne i bashkohemi sanksioneve të BE për ngrirje asetesh”.

“Masat do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte. Ndalohet udhëtimi në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, diplomatë e zyrtarë. Sanksionet ekonomike: në financë, energji, transport dhe teknologji”.

Xhaçka po ashtu tha se “nga sot, hapësira ajrore e Shqipërisë mbyllet për të gjithë operatorët ajrorë rusë. Shqipëria s’merr pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse, deri në fund të pushtimit”.

“Po punojmë për ofrimin e ndihmave materiale ushtarake dhe spitalore për Ukrainën. Shqipëria do të vazhdojë të bashkohet me çdo nismë të aleatëve e partnerëve tanë”, njoftoi Xhaçka.

Rusia pranon për herë të parë humbjet në radhët e ushtrisë

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pranuar për herë të parë se në radhët e ushtrisë së saj ka viktima në Ukrainë, por pa dhënë shifra.

“Ka pasur të vrarë dhe të plagosur në mesin e ushtrisë ruse gjatë operacioni special ushtarka”, tha ministria e mbrojtjes në Moskë në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve TASS dhe të përcjellë nga BBC.

Humbjet e pësuara nga forcat e armatosura ruse janë disa herë më pak se numri i nacionalistëve të shfarosur”, thuhet më tej në deklaratë.

BE do t’i dërgojë armë Ukrainës

Bashkimi Europian ka njoftuar se do të fillojë dërgimin e armëve në Ukrainë, hera e parë në histori që unioni ndërmerr një hap të tillë.

Duke folur në një konferencë për shtyp pasditen e kësaj të diele, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se kjo lëvizje shënon një “pikë kthese”.

Ajo njoftoi gjithashtu një sërë sanksionesh të reja kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe ndalimin e Rusisë që të përdorë hapësirën ajrore europiane.

Po ashtu, BE vendosi që të ndalojë transmetimet për dy media Ruse: Russia Today dhe Sputnik. Ato nuk do të kenë mundësinë që të transmetojnë në asnjë prej vendeve të Bashkimit Europian.

“Sot po ndërmarrim një hap thelbësor për të ndaluar manipulimin e lajmeve nga Rusia në Europë”, tha Josep Borrel ndërsa shtoi: “Po i këpusim kokën gjarprit”.

Bisedimet Ukrainë-Rusi do të zhvillohen të hënën

Zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin thotë se bisedimet midis delegacioneve ruse dhe ukrainase do të zhvillohen të hënën në mëngjes me orën lokale.

Zyra e Presidentit Volodymyr Zelensky tha se presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko e kishte telefonuar të dielën.

“Politikanët kanë rënë dakord që delegacioni ukrainas do të takohet me delegacionin rus pa parakushte në kufirin Ukrainë-Bjellorisu, pranë lumit Pripyat”, tha zyra e tij.

“Aleksander Lukashenko ka marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin Bjellorusi do të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit, takimit dhe kthimit të delegacionit ukrainas”, vazhdoi zyra

Sa e rrezikshme është gatishmëria bërthamore e Rusisë dhe çfarë synon Putin

Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë ruse që të vendosë forcat e saj bërthamore në ‘gatishmëri të veçantë’. Kjo lëvizje, e cila sipas presidentit rus vjen si kundërpërgjigje ndaj agresionit të NATO-s, nuk do të thotë se Rusia do të përdorë armët bërthamore.

Por sa e rrezikshme është kjo situatë?

BBC shkruan se rreziqet në kohë krizash lidhen shpesh përllogaritjet e gabuara. Në lidhje me Ukrainën, vetë Putin mund t’i ketë bërë llogaritë gabim. Ai mund të ketë nënvlerësuar rezistencën që do të përballej në terren nga ukrainasit, po ashtu edhe nga ndërkombëtarët, një Perëndim më i bashkuar nga sa mendonte.

Kjo mund të ketë bërë që ai të kërkojë për opsione të reja, që mund të përfshijë përshkallëzimin e llojit të forcës ushtarake që do të duhet të përdorë në terren dhe gjithashtu kërcënimet ndërkombëtare.

Njoftimi shumë publik i Putin për alarmin bërthamor është një sinjal dhe paralajmërim shumë publik. Me gjasë kjo është një përpjekje për të penguar mbështetjen e NATO-s për Ukrainën duke ngjallur frikë se sa larg është e gatshme të shkojë Moska.

Ai do të dëshirojë të krijojë paqartësi mbi atë që llogaritet si ‘shumë’ dhe çfarë është i gatshëm të bëjë si kundërpërgjigje. Por kjo nuk është e njëjta gjë me dëshirën për të përdorur armët. Putin e di se pasojat për të dhe Rusinë do të ishin të tmerrshme.

Por edhe nëse është kështu, kjo nuk do të thotë që ky kërcënim do të kalojë pa pasoja.

NATO: Paralajmërimi bërthamor i Putin, i rrezikshëm

Shefi i NATO-s thotë se urdhri i Vladimir Putin për të vendosur forcat e saj bërthamore në një nivel më të lartë gatishmërie është “i rrezikshëm” dhe “i papërgjegjshëm”.

Jens Stoltenberg thotë se kjo i shtohet agresionit që lideri rus po bën mbi Ukrainën.

“Sigurisht, kur kombinon këtë retorikë me atë që po bën në terren në Ukrainë, duke i shpallur luftë një kombi të pavarur, sovran, duke ndërmarrë aktin e pushtimit të plotë të Ukrainës, kjo shton seriozitetin e situatës”, tha ai për CNN.

Mbi 3 mijë protestues të arrestuar në Rusi

Mbi 3 mijë persona janë arrestuar deri tani në protestat kundër luftës të zhvilluara anekënd Rusisë. Qytetarët rusë që kundërshtojnë vendimin e Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën organizuar tubime në të paktën 34 qytete të vendit të shtunën.

Vetëm në Moskë u vunë në pranga mbi 70 persona. Autoritetet kërcënuan se do të bllokonin të gjitha mediat që do të jepnin lajme të rreme dhe që nuk shkonin në linjën e Kremlinit.

Një tjetër protestë e madhe u zhvillua në qendër të kryeqytetit gjeorgjian Tblisi në mbështetje të Ukrainës. Gjeorgjianëve u janë rikujtuar pamjet e luftës me Rusinë në 2008-ën kur Moska mbështeti dhe njohu si të pavarura rajonet e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

Protesta pati edhe në sheshin Times Square të Nju Jorkut ku demonstruesit mbanin parulla kundër presidentit rus Vladimir Putin. Mes tyre kishte edhe ukrainas e gjeorgjianë.

Protesta pati edhe në Bruksel ku tubuesit e quajtën Putin një terrorist. Ndërsa këto pamje vijnë nga Meksiko Siti ku edhe aty nuk ka munguar solidarizimi me Ukrainën.

Putin kalon në “gatishmëri të veçantë” forcën strategjike bërthamore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar ushtrinë ruse që të vendosë forcat e saj bërthamore në “gatishmëri të veçantë”. Ky është niveli më i lartë i gatishmërisë i Forcës Raketore Strategjike të Rusisë.

Duke folur para zyrtarëve ushtarakë rusë, duke përfshirë edhe ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, Putin tha se vendet Perëndimore kanë marrë “veprime armiqësore” ndaj Rusisë dhe kanë imponuar “sanksione të paligjshme”. Lajmi raportohet nga BBC.

Kjo lëvizje e Putin është dënuar nga ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

“Do të thotë që Presidenti Putin po vazhdon që ta përshkallëzojë këtë luftë në një mënyrë totalisht të papranueshme dhe duhet të duhet të vazhdojmë t’i frenojmë veprimet e tij në mënyrën më të fortë të mundshme”, tha ajo në një intervistë për CBS.

Zelensky e konfirmon: Bisedimet me Rusinë do të mbahen në kufirin me Bjellorusinë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se do të mbahen negociata mes Kievit dhe Moskës në kufirin Bjellorusi-Ukrainë.

Në një deklaratë nga zyra e Zelensky-t thuhet se dy delegacionet do të takohen pa asnjë parakusht. Dakordësia është marrë pas bisedës së Zelensky-t me homologun e tij Alexander Lukashenko.

“Pranuam që delegacioni ukrainas të takohet me atë rus pa asnjë parakusht në kufirin Ukrainë-Bjellorusi në zonën e lumit Pripyat. Alexander Lukashenko ka marrë përgjegjësi se gjatë udhëtimit, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas, të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin bjellorus do të qëndrojnë në tokë”, thuhet në deklaratë.

Ukrainasit nga vendlindja e Zelensky-t mbushin thasët me rërë për të penguar trupat ruse | Video

Ukrainasit janë duke bërë gjithçka që të pengojnë ushtrinë ruse që të përparojë. Në një video në rrjetet sociale shfaqen disa ukrainas të cilët duke kënduar mbushin thasë me rërë për të bllokuar rrugët.

“Nuk kam parë kaq unitet më parë. Çdo njeri po bën më të mirën. Rroftë Ukraina”, dëgjohet një njeri të thotë.

Sipas BBC-së pamjet janë filmuar në Kryvyi Rih, vendlindja e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Zelensky bisedon me Lukashenkon

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se ka folur me udhëheqësin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Por ai nuk ka dhënë asnjë detaj se për çfarë ka biseduar me të.

Siç është raportuar më herë, Rusia tha se ka dërguar një delegacion në Bjellorusi për të biseduar me Ukrainën.

Por Zelensky refuzoi ofertën dhe tha se bisedimet në Minsk do të bëheshin vetëm nëse Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Megjithatë ai u shpreh i hapur për negociata në vende të tjera.

Bisedë telefonike Papa-Zelensky, Ati i Shenjtë: Dhimbje e thellë për luftën në Ukrainë, Rusia të ulë armët

Papa Françesku bëri thirrje për hapje të korridoreve humanitare për të ndihmuar refugjatët të largohen nga Ukraina dhe tha se ata që bëjnë luftë nuk duhet të mashtrohen duke menduar se Zoti është në anën e tyre. Në meshën e së dielës në sheshin e Shën Pjetrit, para mijërave qytetarëve që valëvisnin flamurin ukrainas, Papa Françesku tha se “zemra e tij është thyer” nga lufta dhe dënoi ata që “besojnë në logjikën djallëzore dhe perverse të armëve”.

“Ata që bëjnë luftën të harrojnë njerëzimin. Ata nuk mendojnë për njerëzit, nuk shohin jetën reale të njerëzve, por vënë para gjithçkaje interesat partiake dhe pushtetin”.

Papa Françesku i ka qëndruar shumë afër popullin Ukrainas, teksa ka pasur edhe një komunikim telefonik me presidentin Zelenski, ndërsa ky i fundit e ka falenderuar dhe se e ndjejnë mbështetjen e tij shpirtërore.

Elon Musk sigurohet që qytetarët ukrainas të furnizohen me internetin më të shpejtë

Miliarderi i SpaceX, Elon Musk ka aktivizuar shërbimin e internetit Starlink në Ukrainë pas apelit të Zëvendëskryeministrit Mykhailo Federov që Ukrainës të mos i ndërpritet interneti.

“Ndërsa ju përpiqeni të kolonizoni Marsin, Rusia përpiqet të pushtojë Ukrainën! Ndërsa raketat tuaja zbarkojnë me sukses nga hapësira, raketat ruse sulmojnë njerëzit civilë ukrainas! Ne ju kërkojmë t’i siguroni Ukrainës stacionet Starlink”.

Musk u përgjigj 10 orë pas lutjes së Federov dhe siguroi se shërbimi është aktivizuar në Ukrainë.

Përgjigjja e Musk shpejt tërhoqi vëmendjen e përdoruesve të internetit, ekspertëve dhe shumë profileve të larta në Twitter. 

Biznesmeni amerikan Jeremy Padaëer tha: “Ukrainasit kanë akses në sistemin më të shpejtë të internetit satelitor të krijuar ndonjëherë.”

Fedorov më vonë falënderoi Elon Musk dhe ambasadoren e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova për këtë vendim.

Starlink operon me më shumë se 2000 satelitë që lehtësojnë aksesin në internet në të gjithë planetin. Aktivizimi i shërbimeve Starlink do të anashkalonte përpjekjet e Rusisë për të shkëputur shërbimin e internetit në Ukrainë.

Olaf Scholz: Bota ka hyrë në “një epokë të re” pas pushtimit të Ukrainës

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se bota po hyn në një epokë të re pas sulmi të Ukrainës. Në një fjalim para ligjvënësve në seancë të posaçme parlamentare, Scholz deklaroi se Gjermania do të rrisë ndjeshëm shpenzimet e saj për mbrojtjen në më shumë se 2% të PPB.

“Ne do të duhet të investojmë më shumë në sigurinë e vendit tonë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë,” u shpreh ai, duke shtuar se qeveria ka vendosur të sigurojë 100 miliardë Euro për investime ushtarake nga buxheti i saj i vitit 2022.

Gjermania i ka dërguar Ukrainës armë mbrojtëse antitanke, raketa dhe municione. Po ashtu edhe Portugalia i ka siguruar ukrainasve pajisje ushtarake qe përfshijnë municione dhe granata.

“Portugalia mbështet Ukrainën, e cila po mbrohet kundër një pushtimi të pajustifikuar, të paligjshëm dhe të papranueshëm”, tha ministri i Mbrojtjes, Joao Cravinho në një postim në Tëitter.

Edhe Greqia ka ofruar pajisje mbrojtëse dhe ndihma humanitare. Edhe Izreali është në mesin e 25 vendeve që zotohet për të ndihmuar Ukrainën, por kryeminsitri Naftali Bennet është treguar i kujdesshëm pasi nuk dëshiron konfrontim me Rusinë.

Nga ana tjetër, Moska po izolohet gjithnjë e më shumë. Italia ka mbyllur hapësirën ajrore ndaj Rusisë dhe njësoj si ajo kanë vepruar më herët Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovenia, Republika Çeke, Estonia, Danimarka, Suedia, Belgjika, Irlanda dhe Finlanda.

Trupat ukrainase rimarrin në kontroll Kharkiv-in

Forcat ukrainase kanë marrë nën kontroll qytetin Kharkiv. Më herët gjatë ditës atje hynë trupat ruse.

Guvernatori i Kharkiv-it, Oleh Synyehubov në një postim në Twitter shprehet: Kontrolli mbi Kharkiv-in është tërësisht i yni. Forcat e armatosura, policia dhe forcat e mbrojtjes po punojnë dhe qyteti është duke u plotësuar tërësisht nga armiku.

Ndërkohë në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje të luftimeve të forcave ukrainase.

Ukraina kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësië

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se vendi i tij ka dorëzuar një ankesë kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe po kërkon që gjykatësit e saj të ndalojnë pushtimin e nisur nga Moska.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e ka bazën në Hagë, dhe është një nga gjykatat kryesore të Kombeve të Bashkuara ku vendoset nëse një shtet e ka thyer ose jo ligjin ndërkombëtar.

Gjykata nuk mund të çojë në akuza individuale kriminale ndaj krerëve të shteteve.

“Ukraina ka nënshkruar padinë kundër Rusisë në GJND. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për manipulimin e nocionit të genocidit për të justifikuar agresionin. Kërkojmë një vendim urgjent që Rusia të ndalojë aktivitetin ushtarak dhe presim që gjyqi të nisë javën që vjen”, ka shkruar Zelensky.

Ukraina: 210 civilë të vrarë dhe 1100 të plagosur nga sulmet ruse

Avokati i Popullit në Ukrainë thotë se më shumë se 210 civilë janë vrarë në Ukrainë. Sipas Lyudmyla Denysova-s më shumë se 1100 persona të tjerë janë plagosur.

“Me një mizori të paparë, armiku po shkatërron ndërtesa banimi, spitale, kopshte dhe shkolla, duke marrë të drejtën për të jetuar nga djemtë dhe vajzat e Ukrainës, duke përfshirë edhe fëmijë”, tha ajo në një postim në rrjetet sociale.

Denysova dha shembuj të disa civilëve të vdekur, duke përfshirë edhe një fëmijë që vdiq si pasojë e bombardimeve në një spital në Kiev, dhe një grua që humbi jetën si pasojë e një goditjeje rakete në një ndërtesë banimi në Kharkiv.

Ajo ka kërkuar që Rusia të dënohet për këto krime të rënda.

Pretendimet e Ukrainës: 4300 forca ruse të vrara deri më tani

Zv/ministrja e Mbrojtjes e Ukrainës ka bërë publike shifrat që sipas saj forcat e vendit i kanë shkaktuar Rusisë deri më tani.

Hanna Malyar tha në një postim në Facebook se numri për tre ditët e para të konfliktit është paraprak dhe mund të ndryshojë.

Ukraina pretendon se i ka shkaktuar ushtrisë ruse këto dëme: 4300 viktima, 27 avionë të shkatërruar, 26 helikopterë të shkatërruar, 146 tanke të prishura, 706 mjete të shkatërruar, 2 drone, 2 anije, etj.

Ndërkohë media prestigjioze BBC thotë se nuk mund t’i konfirmojë këto shifra deri më tani. Rusia ende nuk ka nxjerrë një shifër.

Ministrja e Jashtme britanike: Lufta mund të jetë fillimi i “fundit” të Putin

Sulmi i ushtrisë ruse në Ukrainë “mund të jetë fillimi i fundit” të presidentit rus, Vladimir Putin. Kështu deklaroi Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe Lizz Truss në një intervistë për Sky Neës teksa paralajmëroi se konflikti mund të zgjasë për vite.

“Frikësohem se ky konflikt do të jetë shumë, shumë i përgjakshëm”, është shprehur ajo.

Truss tha se Moska është zënë në befasi nga rezistenca e popullit ukrainas dhe presidentit të saj Volodymyr Zelensky.

Ajo tha se  Britania e Madhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën. Kur u pyet për sanksionet ekonomike, Truss tha se është përpiluar “një listë me oligarkë” dhe  bëri të ditur se do të ketë “një program të vazhdueshëm të sanksioneve”.

Për të lufta në Ukrainë do të  shkaktojë dëme ekonomike edhe për Mbretërinë e Bashkuar.Nga ana tjetër ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe.

Vadym Prystaiko tha se presidenti Vladimir Putin nuk po arrin atë që ai dëshironte. Kombet fqinje me Ukrainën kanë “hapur zemrat dhe shtëpitë e tyre” për të pritur sa më shumë ukrainas të jetë e mundur,  tha ndër të tjera ambasadori.

Ndër vendet qe do të mirëpresin refugjatët Ukrainës është edhe Mbretëria e Bashkuar.

Banka Qendrore e Rusisë bën thirrje për qetësi pas frikës nga sanksionet

Banka Qendrore e Rusisë është duke bërë thirrje për qetësi mes frikës se sanksionet e reja financiare do të boshatisin bankat e saj, për shkak se njerëzit do të mundohen që të tërheqin paratë e tyre.

“Banka e Rusisë ka resurset e nevojshme dhe mjetet që të mbajë stabilitetin financiar dhe të sigurojë vazhdimësi operacionale në sektorin financiar”, thuhej në një deklaratë.

Të shtunën Europa, SHBA, Britania dhe Kanadaja deklaruar se asetet e Bankës Qendrore të Rusisë do të ngrijnë. Kjo bankë ka rezerva rreth 630 miliardë Dollarë.

Sanksionet kundër Bankës së Rusisë e ndalojnë atë që të shesë asetet. Po ashtu aleatët perëndimore kanë shpallur se një numër i bankave ruse do të hiqen nga Swift, sistemi i pagesave ndërkombëtare i cili është shumë  rëndësishëm për transaksionet në të gjithë botën.

Analistët parashikojnë që të hënën, kur të rihapen tregjet, vlera e rublës ruse do të bjerë dhe qytetarët do të nxitojnë që të tërheqin paratë nga bankat.

OKB: 200 mijë persona janë larguar nga Ukraina

Komisioneri i Lartë për Refugjatët në Kombet e Bashkuara ka thënë se më shumë se 368 mijë ukrainas janë arratisur nga vendi dhe janë strehuar në vendet fqinje.

Ditën e djeshme Kombet e Bashkuara paralajmëruar që numri i refugjatëve si pasojë e konfliktit me Rusinë të shkojë në 4 milionë.

Ukrainasit kanë udhëtuar në drejtim të Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë dhe Moldavisë.

Vetëm në Poloni kanë hyrë më shumë se 150 mijë ukrainas që prej nisjes së konfliktit ndërsa 43 mijë të tjerë janë arratisur drejt Rumanisë.

Xhudo merr masa ndaj Vladimir Putin

Bota e sportit vijon të distancohet nga iniciatorët e konfliktit ushtarak në Ukrainë. Së fundmi, është Federata Ndërkombëtare e Xhudos ajo që ka marrë masa, madje direkt ndaj presidentit të shtetit rus, Vladimir Putin.

Në një njoftim për shtyp, thuhet se organi më i lartë drejtues i xhudos ka pezulluar statusin e Putin si president nderi dhe ambasador i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

69-vjeçarin Putin është një tifoz i madh i xhudos, duke e konsideruar edhe si sportin e tij të preferuar. Ai ishte zgjedhur si President Nderi dhe Ambasador i Xhudos në vitin 2012 dhe që prej asaj kohe ka marrë pjesë në disa evente madhore të kësaj disipline.

Por duket se tashmë sporti ka zgjedhur të distancohet nga rusët për shkak të konfliktit të vazhdueshëm midis vendit të tij dhe fqinjëve të Ukrainës. Gjithashtu, Federata e Xhudos njoftoi anulimin e Grand Slemit 2022 planifikuar për tu mbajtur nga data 20 deri më 22 maj në qytetin e Kazanit.

Ujëvara e Niagarës me ngjyrat e flamurit ukrainas

Ashtu sikurse shumë vende të botës apo pika me rëndësi turistike dhe historike, edhe Ujëvara e Niagarës është solidarizuar me Ukrainën që po përballet me agresionin rus.  

Ujëvara u ndriçua me ngjyrën blu dhe të verdhë që simbolizon flamurin e Ukrainës për të treguar mbështetjen për popullin e këtij shteti që po kalon ditë të vështira.

“Niagara qëndron me popullin e Ukrainës, si dhe me komunitetin krenar ukrainas këtu në Niagara, shumë prej të cilëve ende kanë familje që banojnë atje”, u shpreh kryetari rajonal i Niagarës, Jim Bradley.

Putin falenderon forcat speciale: Po plotësojnë me heroizëm detyrat ushtarake në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka falenderuar të gjitha forcat speciale të vendit duke theksuar se ata janë “duke plotësuar me heroizëm detyrat e tyre ushtarake” në Ukrainë.

Në një fjalim Putin përshëndeti shërbimin e tyre në emër të popullit të Rusisë. Putin tha se ushtarët janë ngarkuar të ofrojnë ndihmë në “Republikën Popullore të Donbasit” duke iu referuar dy zonave rebele në lindje të Ukrainës e që Rusia i njohu si shtete të pavarura para pushtimit.

“Dua të falenderoj komandën, personelin e forcave operacionale speciale, veteranët e njësive të forcave speciale për besnikërinë ndaj betimit, për shërbimin e jashtëzakonshëm në emër të popullit të Rusisë dhe mëmëdheut tonë”, tha Putin.

Ai e përfundoi mesazhin e tij duke thënë: Ju uroj fat, sukses dhe gjithë të mirat juve dhe të dashurve tuaj.

Fjalimi u bë me rastin e ditës së forcave speciale ruse, që mbahet çdo 27 Shkurt prej 2015.

Zelensky: Hiqjani Rusisë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje që Rusia të zhvishet nga e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit në OKB. Ai ka shtuar se veprimet kriminale të Rusisë në Ukrainë i afrohen “genocidit”.

Rusia (dikur Bashkimi Sovjetik) është një nga 5 shtetet që prej vitit 1945 që ka qenë një anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Ky shtet ka të drejton e vetos mbi çdo rezolutë që shqyrtohet nga organi.

Të premten, Rusia përdori veton e saj për të bllokuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që dënon agresionin e Moskës dhe që kërkonte tërheqjen e saj nga Ukraina.

Këshilli u ngrit pas Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar konfliktet e ardhshme dhe ka katër anëtarë të tjerë të përhershëm SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kina.

Lukashenko: Bisedoni me Rusinë që të mos humbni shtetësinë! Kievi: Duam negociata reale, jo propagandë

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i ka bërë thirrje Kievit që të pranojë ofertën e Rusisë për bisedime.

Lukashenko ka telefonuar Kievin të dielën dhe ka kërkuar që të ulen dhe të bisedojnë me Rusinë në mënyrë që Ukraina të mos humbasë shtetësinë e saj.

Më herët u raportua se Rusia kishte dërguar një delegacion për t’u takuar me palën ukrainase në Minsk, por kjo u refuzua nga Zelensky. Ai tha se nuk do të zhvillojë bisedime në një vend nga ku janë lëshuar raketa në drejtim të Ukrainës. Presidenti ukrainas u ka kërkuar rusëve që të takohen në një vend tjetër.

Më vonë, një këshilltar i Zelenskyt tha se Ukraina insiston në negociata “reale” me Rusinë mbi pushtimin e saj dhe jo ultimatume. Ai shtoi se vendimi i Moskës për të dërguar një delegacion në Bjellorusi për bisedime ishte “propagandë”.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës: Luftimet në Kiev me intensitet më të ulët

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka bërë një përditësim të situatës në vend këtë mëngjes. Në një deklaratë thuhet se “shkëmbimet intensive” të artilerisë me raketa u pasua me “luftime të ashpra” gjatë natës në Kharkiv.

Ministria tha se luftimet vazhdojnë në Kiev, por me një intensitet më të ulët. Sipas tyre, trupat ruse kanë hasur me rezistencë të fortë në Chernihiv dhe tashmë Moska po i kalon anash kësaj zone në mënyrë që “të prioritizojë rrethimin dhe izolimin e Kievit”.

Po ashtu theksohet se trupat ruse po vazhdojnë që të avancojnë në Ukrainë përmes zonave të ndryshme.

Pa armë dhe pa raketa, civilët kthejnë mbrapsht tankun rus vetëm duke ecur

Ukrainasit vijojnë me qëndresën e tyre kundër agresionit rus. Në ditën e katërt të luftës, trupat ruse kanë mundur të hyjnë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Megjithatë, ata janë duke hasur vështirësi në pjesën më të madhe të vendit.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen luftës. Në shumë raste, qytetarëve nuk u është dashur të përdorin as armët për të luftuar. E tillë është ngjarja që ka ndodhur në rajonin e Chenihiv në Koryukivka.

Një grup i madh qytetarësh civilë janë mbledhur dhe kanë ndaluar së avancuari një tank rus duke bërë që të kthehet mbrapsht.

Drejt izolimit, Finlanda dhe Irlanda bllokojnë fluturimet ruse

Finlanda dhe Irlanda kanë njoftuar ditën e sotme se do mbyllin hapësirën e tyre për avionët rusë. Megjithatë është ende e paqartë se kur kjo masë do të hyjë në fuqi.

Finlanda ndan 1300 kilometra kufi me Rusinë, që do të thotë se një rrugë kryesore për në perëndim e Moskës, do të mbyllet.

Më herët, të tjera vende si Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Gjermania, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrë vendim të njëjtë.

Nga ana tjetër, edhe Moska ka ndaluar që avionë të disa vendeve të fluturojnë mbi territorin e saj.

Ushtria udhëzon qytetarët: Bëni bomba molotov, rrëzoni tabelat rrugore dhe punoni gjatë natës

Ushtria ukrainase ka udhëzuar qytetarët se si të veprojnë në lëvizjen e tyre për rezistencë.

“Nuk ka rëndësi nëse keni armë ose municione apo ajo. Përdorni çdo mënyrë të mundshme luftimi”, thuhej në një deklaratë.

Njerëzve u është kërkuar që të çmontojnë tabelat rrugore, të shembin pemët për të bërë të pamundur lëvizjen, të përdorin bomba molotov, të shkatërrojnë qendrat kryesore të transportit dhe të jenë më shumë aktivë gjatë natës ose në muzg.

Rusia dërgon delegacionin në Minsk, Zelensky: Takohemi në çdo vend tjetër, por jo aty nga ku na keni lëshuar raketa

BBC raporton se Rusia thotë se një delegacion i saj ka arritur në Bjellorusi për bisedime me Ukrainën. Por Presidenti Volodymyr Zelensky e ka refuzuar ofertën për bisedime në Minsk. E vetmja mundësi për të negociuar në Minsk sipas Zelensky-t do të ishte vetëm nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar edhe nga territori i Bjellorusisë. 

Megjithatë ai ka lënë derën e hapur që negociatat të zhvillohen në qytete të tjera.

“Nëse nuk do të kishte pasur veprime agresive nga territori juaj mund të bisedonim në Minsk… qytete të tjera mund të përdoren si vendtakim”, ka thënë ai.

“Sigurisht që duam paqe, duam të takohemi, duam t’i japim fund luftës. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku… këto qytete u kemi ofruar rusëve.

Çdo qytet tjetër do na përshtatet gjithashtu, në një vend, nga territori i të cilit nuk janë lëshuar raketa ndaj nesh. Kjo është mënyra e vetme që negociatat të jenë të ndershme dhe t’i japim fund luftës”, ka thënë Zelensky.

Ukraina thirrje të huajve: Bashkojuni luftës sonë kundër kriminelëve rusë të luftës

Kievi ka thënë se po themelon një legjion ndërkombëtar për të huajt që dëshirojnë të vijnë vullnetarë në mbrojtje të Ukrainës.

“Kjo do të jetë prova kyçe për mbështetjen tuaj ndaj vendit tonë”, tha Zelensky në një deklaratë në rrjetet sociale.

“Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky po i drejtohet të gjithë qytetarëve të botës, miqve të Ukrainës, paqes dhe demokracisë.

Çdokush që dëshiron t’i bashkohet mbrojtjes së Ukrainës, Europës dhe botës mund të vijë dhe luftojë krah për krah me ukrainasit kundër kriminelëve të luftës rusë”, thuhet në deklaratë.

Në një postim më të detajuar thuhet se qytetarët e huaj janë ligjërisht të lejuar që t’i bashkohen mbrojtjes së Ukrainës. Lideri i Ukrainës ka thënë shpesh që vendi i tij është lënë vetëm për ta mbrojtur veten.

Aleatët perëndimore po dërgojnë armë dhe municione, megjithatë deri më tani kanë refuzuar që të futen në luftë. Kjo edhe për faktin se Ukraina nuk është pjesë e aleancës së NATO-s.

Ndërkohë ministri i Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se bota nuk e besonte këtë rezistencë të Ukrainës.

Rusia merr një tjetër qytet, heq të gjithë flamujt e Ukrainës nga ndërtesat

Një qytet në Ukrainën jugore është marrë nga Rusia. Lajmi raportohet në mediat ukrainase. Trupat ruse mësohet se kanë pushtuar Nova Kakhovka. Ky është një qytet i vogël, por strategjik që shtrihet në lumin Dnipër.

Sipas asaj që ka thënë kryebashkiaku Volodymyr Kovalenko, forcat ruse kanë marrë nën kontroll komitetin ekzekutiv të qytetit dhe kanë hequr të gjithë flamujt ukrainas nga ndërtesat.

Analistët kanë theksuar se deri më tani, avancimi më i suksesshëm i rusëve ka qenë nga jugu i Ukrainës.

Rusët hyjnë në Kharkiv

Forcat ruse kanë hyrë në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarët lokalë ukrainas. Kreu i administratës rajonale të Kharkiv, Oleg Sinegubov tha se mjete të lehta ushtarake kanë mundur që “të depërtojnë në qytet”.

Para deklaratës së tij, në rrjetet sociale u shfaqën disa pamje të disa makinave ushtarake ruse që po lëviznin në rrugët e qytetit verilindor.

Sinebugov u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë brenda, duke shtuar se trupat ruse janë në qendër të qytetit.

“Mos i lini vendstrehimet. Forcat e Armatosura të Ukrainës janë duke e eliminuar armikun. Civilët të mos dalin në rrugë”, tha ai.

Paralajmëroi luftë kibernetike, Anonymous sulmon faqen e qeverisë çeçene

Grupi i hakerave Anonymous pretendon se kanë rrëzuar website-n e qeverisë çeçene, 12 orë pasi aleati i Rusisë nisi të dërgonte trupa në Ukrainë.

Republika Çeçene është një ndër republikat e Rusisë. Lideri i saj, Ramzan Kadyrov, është një aleat i afërt me Putinin.

Anonymous deklaroi luftë ndaj Rusisë të premten dhe ka ndërmarrë disa sulme kibernetike ndaj qeverisë ruse.

Macron telefonon Lukashenkon: Mos u bëni vasal i Rusisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kundërshtuar vendimin e Bjellorusisë për të autorizuar Rusinë që të vendosë armë bërthamore në vendin e saj.

Në një telefonatë me liderin bjellorus, Alexander Lukashenko, Macron i ka kërkuar tërheqjen e trupave ruse nga Bjellorusia “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Këto trupa po bëjnë një luftë të njëanshme dhe të padrejtë”, ka thënë Macron.

Po ashtu, Macron ka theksuar vëllazërinë mes popullit bjellorus dhe ukrainas dhe kjo sipas tij duhet të bëjë që “Bjellorusia të mos kthehet në vasale të Rusisë dhe bashkëpunëtore de facto në luftën kundër Ukrainës”.

Ditët e fundit trupat ruse kanë hyrë në Ukrainë përmes kufijve të Bjellorusisë, një aleat i Rusisë për kohësh.

OKB: Të paktën 64 civilë ukrainas të vrarë deri më tani

Luftime intensive kanë ndodhur në disa prej qyteteve më të mëdha të Ukrainës. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se të paktën 64 civilë kanë ndërruar jetë deri më tani. Të paktën 176 të tjerë janë plagosur.

Po ashtu sipas OKB-së dëmtimi i shtëpive dhe infrastrukturës ka lënë me qindra njerëz pa ujë dhe energji elektrike.

Sipas OKB-së deri më tani, mbi 160 mijë ukrainas janë larguar nga vendi. Qeveria e Ukrainës përllogarit se pushtimi rus mund të shkaktojë rreth 5 milionë refugjatë.

Rusët godasin depozitën e naftës, zyrtarët ukrainas thirrje banorëve

BBC shkruan se ka pasur disa raportime gjatë natës se një depozitë nafte është goditur nga një raketë ruse gjatë natës në Vasylkiv, një qytet në rajonin e Kievit. Mediat lokale shkruajnë se sulmi është konfirmuar nga disa zyrtarë vendas.

Pamjet në rrjetet sociale tregojnë shtëllunga të mëdha tymi mbi terminal. Zyrtarët kanë paralajmëruar se për shkak të shpërthimit është lëshuar tym toksik dhe u kanë bërë thirrje banorëve që të mbyllin dritaret.

6 civilë të vrarë në Okhtyrka, Ukraina kërkon hetim ndërkombëtar

Guvernatori i Sumy-t, Dmitry Zhivitsky ka thënë se të paktën 6 ukrainas civilë, duke përfshirë edhe një vajzë 7-vjeçare, kanë vdekur si pasojë e një sulmi rus të premten në verilindje të Okhtyrka.

Një kopsht për fëmijët dhe një jetimore ishin mes shënjestrave. Kjo gjë është mohuar nga pala ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka pretenduar për krime lufte dhe ka kërkuar një hetim për incidentin nga Gjykata Kriminale Ndërkombëtare.

REDAKSIA TVKLAN.AL