Paris Hilton është rikthyer në Kapitol, në Uashington, për të kërkuar miratimin e një projektligji që u jep viktimave të imazheve seksuale të krijuara me inteligjencë artificiale mundësinë për t’iu drejtuar drejtësisë.

Nisma ligjore, e njohur si “DEFIANCE Act”, synon të ndëshkojë personat që krijojnë ose shpërndajnë imazhe intime të rreme pa pëlqimin e personave të përfshirë.

Hilton, e cila në moshën 19-vjeçare përjetoi publikimin e një videoje intime nga ish-partneri i saj, zbuloi se aktualisht qarkullojnë në internet më shumë se 100 mijë imazhe seksuale deepfake me fytyrën e saj.

“Dhjetë muaj më parë qëndrova këtu dhe i tregova botës se si ndihet një njeri kur trupi i tij ekspozohet publikisht pa pëlqimin e tij. I kërkova Kongresit të ndërmerrte veprime. Ligjet nuk na mbrojnë”, u shpreh ajo.

Gjatë konferencës për shtyp, Hilton u shoqërua nga kongresmenia demokrate Alexandria Ocasio-Cortez dhe kongresmenia republikane Laurel Lee, të cilat mbështesin projektligjin.

Nisma parashikon që viktimat të mund të kërkojnë dëmshpërblim, përfshirë edhe fitimet e siguruara nga persona të tretë përmes përdorimit të paautorizuar të imazheve të tyre. Gjithashtu, përcakton një afat 10-vjeçar për ngritjen e padisë.

Senati amerikan e miratoi unanimisht projektligjin në janar, por që prej asaj kohe procesi në Dhomën e Përfaqësuesve ka mbetur i bllokuar.

Projektligji synon të plotësojë ligjin ekzistues “Take It Down Act”, të mbështetur nga Melania Trump, i cili e cilëson si vepër penale federale publikimin e imazheve intime pa pëlqim dhe detyron platformat online t’i heqin ato brenda 48 orëve nga kërkesa e viktimës.

Hilton bëri të ditur gjithashtu se, sipas një studimi të ekipit të saj, 83 nga 156 gratë anëtare të Kongresit amerikan kanë imazhe seksuale deepfake që qarkullojnë në internet.

Sipas saj, në total, rreth 50 milionë njerëz janë bërë viktima të këtij lloj abuzimi digjital.

/tvklan.al