Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka mjaftuar çështja Lesi, që socialistët dhe demokratët të lënë mënjanë marrëveshjet dhe t’i kthehen debatit, e akuzave të vjetra. Opozita kërkoi nxjerrjen nga kalendari dyjavor i punimeve të Kuvendit, shqyrtimin e kërkesës së Gjykatës së Lartë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi.

Sali Berisha: “Mos më shtyni tani mua t’u them, se ato që ka shkruajtur Nikolla, disave prej jush u ka thënë Fatos Nano për njerëzit tuaj një mijë herë më keq, absolutisht po dhe s’e mbështesë fare pse e ka thënë, se unë skam asgjë, aman këto janë realitete që ia thoni njëri-tjetrit, e ja u thoni njerëzve në kafene. Kurse pse paska shprehur ky, një gjë që nuk duhej të shprehej, ia them edhe njëherë, as ky dhe as njeri nuk duhet marrë me familjarët, por nuk mund të hiqet imuniteti i tij, nuk mund të hiqet një imunitet për fjalën e lirë.”

Gramoz Ruçi: “Kur dhe kush e dogji pronën e “Koha Jonë”? Kur dhe kush, gazetarin e Kohës Jonë korçar, sot e kësaj dite s’është në gjendje shëndetësore nga ana psikike. Kur dhe kush, gazetarin e Kohës Jonë në kodrat e liqenit e çoi në buzë të varrit? Duke dëgjuar natyrshëm më lindi pyetja, kur dhe kush, Thoma Gëllçin, Aleksandër Frangaj, Martin Lekën, opozitarët e athershëm që me vështirësi i çonim ndonjë coca-cola apo ujë në qelitë e burgut. Natyrshëm akuzohet pozita, se heq imunitetet”.

Ridvan Bode: “Në qoftë se ju e prisni me çdo kusht që ky parlament të bëjë shembull për heqje imuniteti një deputet, i cili akuzon krimin dhe korrupsionin, pavarësisht kusureve që ka në anën personale, ju lumtë juve, hiqini imunitetin atyre që akuzojnë dhe mu ua hiqni atyre që bëjnë krime dhe vjedhin.”

Servet Pëllumbi: “Është në dorën e deputetëve për të vendosur heqjen ose jo të imunitetit, prandaj ju lutem shumë, bëni dallimin, midis procedurave parlamentare, që janë të domosdoshme.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj