Partizani është shpallur kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj për herë të 18-të në histori. Të kuqtë mundën Skënderbeun 3-2 në një finale të luftuar dhe emocionuese, duke e çuar rezultatin e përgjithshëm 3-0 me ndeshje dhe duke u kurorëzuar për të tretin vit radhazi në krye të volejbollit shqiptar.

Finalja e luajtur në Tiranë nuk ishte e lehtë, pavarësisht fitores dhe dominimit të Partizanit në setin e parë 25:16. Skuadra korçare reagoi në setin e dytë duke triumfuar ngushtë 25:27. Edhe dy setet e tjera të ndeshjes u fituan një nga secila skuadër, duke lënë gjithçka për finalen, e cila u dominua nga Partizani 15:8.

Në këtë mënyrë, të kuqtë kurorëzojnë një sezon fantastik, pasi përveç titullit kampion kanë fituar edhe Ligën Unike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Kupën e Pavarësisë.

Tv Klan

/tvklan.al