Modelja dhe aktorja amerikane Toukie Smith ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare. Ish-partnerja e aktorit të njohur Robert De Niro dhe nëna e dy fëmijëve të tij, binjakëve Airyn dhe Julian, humbi jetën pas një beteje të gjatë me sklerozën e shumëfishtë.

Lajmi u bë publik nga vetë fëmijët e saj, të cilët konfirmuan vdekjen për revistën “The Hollywood Reporter”, teksa e përshkruan përballjen e saj me sëmundjen si të gjatë dhe të guximshme.

Në mesazhin e tyre, Airyn dhe Julian kujtuan kontributin e nënës në industrinë e modës dhe kulturën amerikane. Ata theksuan se pamja, eleganca dhe personaliteti i saj ndihmuan në krijimin e mundësive të reja për shumë modele dhe stiliste me ngjyrë.

Toukie Smith ishte e njohur si në pasarelat e modës, ashtu edhe në ekranin televiziv, ku u shfaq në serialin komik të NBC-së, “227”.

Ajo pati një lidhje me Robert De Niron nga viti 1988 deri në vitin 1996. Gjatë marrëdhënies së tyre, në vitin 1995, çifti u bë prindër i binjakëve Airyn dhe Julian, të ardhur në jetë përmes një nëne surrogate.

Familja u rikthye në vëmendjen e publikut në prill të vitit 2025, kur vajza e tyre, Airyn, foli hapur për identitetin e saj gjinor dhe bëri të ditur se është transgjinore. Ajo tregoi se prindërit kishin dashur ta mbronin nga ekspozimi mediatik, duke i mundësuar një fëmijëri sa më të zakonshme.

Në atë periudhë, Robert De Niro shprehu publikisht mbështetjen e tij të plotë për të bijën, duke thënë se dashuria e tij për të nuk kishte ndryshuar, pavarësisht identitetit të saj gjinor. Aktori është baba i shtatë fëmijëve nga marrëdhënie të ndryshme.

/tvklan.al