Pas përmirësimit të situatës së përmbytjeve në vend, Kryeministri Edi Rama udhëton drejt Brukselit të hënën ku do të takojë liderët e Bashkimit Europian në një përpjekje të re për t’i dhënë shtysë hapjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në union.

“EuReporter” shkruan se Kryeministri Rama do të takohet me Presidentin e Këshillit të Europës Donald Tusk, ndërsa të martën do të bisedojë me Presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani.

Lajmi është konfirmuar edhe nga zyra e kryeministrit, sipas të cilës Rama do të takojë Tuskun në orën 18:00, ndërsa pas takimit dypalësh liderët do të mbajnë një konferencë për shtyp.

Siç edhe ishte paralajmëruar muajin e kaluar nga vetë Rama, Kryeministri shqiptar pritet të takojë edhe Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Rama shpreson në hapje të negociatave me BE-në brenda një kohe të shkurtër, megjithëse komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka tërhequr vëmendjen tek disa pengesa që duhet të kalohen, përfshirë trafikun e drogës, mungesës së transparencës dhe përhapjen e korrupsionit.

Shqipëria zyrtarisht ka aplikuar për t’iu bashkuar BE-së në vitin 2009, ndërsa në tetor të vitit 2012 Komisioni i BE-së rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat.

/tvklan.al