Pas rreth një muaji mungesë për shkak të problemeve shëndetësore, Vincent Kompany është rikthyer në drejtimin e Bayern Munich.

Trajneri belg ka konfirmuar se e ka kaluar plotësisht periudhën e vështirë dhe është sërish pranë skuadrës, pas kontrolleve mjekësore dhe një faze rikuperimi.

“Jam shumë mirënjohës për mbështetjen që kam marrë. Nuk dua ta minimizoj atë që ndodhi, ishte padyshim një tronditje. Gjithçka erdhi si pasojë e faktit që vazhdova të luaja kur duhej të bëja një pushim. Tani jam mirë dhe, pas një periudhe të gjatë rikuperimi, jam shumë i lumtur që jam sërish pranë skuadrës”, tha Kompany.

Gjatë mungesës së tij, 40 vjeçari ia kishte besuar drejtimin stafit teknik, duke mos ndërhyrë në vendimmarrjen e ekipit.

Në konferencën për shtyp, ai vlerësoi edhe reagimin e futbollistëve, të cilët ruajtën unitetin dhe karakterin në pesë ndeshjet e zhvilluara pa praninë e tij.

Pas rikthimit në stërvitje, tekniku belg është gati të drejtojë sërish skuadrën nga stoli, në përballjen ndaj Kolnit, më 20 nëntor.

“Nuk e pata të vështirë të rikthehesha në mentalitetin e duhur, pasi pata gjithë kohën e nevojshme. Motivimi im është gjithmonë i lartë, por për ndeshjen e radhës është edhe më i veçantë. Shpresoj t’ia transmetoj edhe skuadrës. Lojtarët sapo janë kthyer nga kombëtaret dhe duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë. Vendi më i mirë për mua është stoli, pranë skuadrës”, tha Kompany.

Bayern Munich kryeson aktualisht Bundesligën me 21 pikë, ndërsa synon të vijojë ecurinë pozitive në kampionat.

Bavarezët kanë regjistruar nëntë fitore dhe rikthimi i Kompany-t në stol vjen në një moment të rëndësishëm të sezonit.

Klan News

/tvklan.al