Çmimet e produkteve bazë do të monitorohen online përmes një platforme të re, e cila do të jetë e hapur për publikun në 10-ditëshin e parë të tetorit.
E prezantuar si “Pasqyra e Çmimeve”, platforma e cila do të operojë online, pritet që në fazën e saj të parë të monitorojë rreth 160 produkte të shportës, ushqime dhe mallra të përdorimit të përditshëm.
“Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit platforma të jetë live me një numër prej 160 produktesh. Jemi duke rakorduar me marketet kryesore listën finale të produkteve, e cila do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës, ushqime dhe mallra që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare. Kjo do t’i japë konsumatorit mundësinë që të ndjekë ecurinë e çmimeve të këtyre produkteve. Gjithashtu po rakordohemi me supermarketet dhe furnitorët një listë produktesh që do të tregtohen për tre muaj me çmime fikse dhe fitim minimal. Të dyja nismat synojnë të jenë funksionale në fillim të tetorit”, tha Ibrahimaj.
Në bilancin ekonomik të 8-mujorit, një nga treguesit më të fortë është investimi i huaj.
“Investimet e huaja direkte kanë arritur në 1.14 miliardë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit, me një rritje prej më shumë se 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje është shoqëruar me një ecuri pozitive në sektorë si turizmi, shërbimet, pasuritë e paluajtshme dhe teknologjia e informacionit. Punësimi në rritje, konsumi po ashtu. Edhe eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur me 9.7%, në rreth 3.7 miliardë euro. Peshën kryesore e mbajnë shërbimet, me rreth 2.4 miliardë euro, ndërsa konsumi i familjeve është rritur me mbi 4% …”, tha Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se reforma e strehimit të përballueshëm do të përfshijë kredi me interesa të subvencionuara dhe mbështetje për familjet e reja. Reforma pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave në gjysmën e tetorit.
/tvklan.al












Botërori 2026 