Një 58-vjeçar është proceduar penalisht nga policia për situatën e krijuar në rezervuarin e Kasharajt në Lushnje. Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale F.M, administratorin e kompanisë që kryen punimet për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit të rezervuarit.

Sipas policisë firma nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave në rezervuar dhe për pasojë u shkaktua ngordhja e tonelatave peshk.

Vetë 58-vjeçari ka thënë për Klan News se nuk kishte dijeni për praninë e peshkut në rezervuar dhe se përgjegjësia sipas tij është vetëm morale.

Përgjegjësia për situatën sipas Ministrit të Bujqësisë Andis Salla është e bashkisë së Lushnjes.

Dy ditë pas situatës së krijuar dhe dëmit të shkaktuar autoritetet kanë nisur pastrimin e zonës. Në terren janë edhe forcat e ushtrisë ndërsa po punohet edhe me mjete të bordit të kullimit. Forcat e ushtrisë do të jenë në terren derisa situata të kthehet në normalitet

Thasët me peshqit e ngrodhur do të groposen në ish fushën e aviacionit në Pluk të Lushnjes, një vend i paracaktuar nga autoritetet. 

Gjendja u krijua pas nisjes së punimeve për forcimin e digës. Në një raport të vitit 2024 të komitetit të digave vlerësohet se diga e këtij rezervuari ishte në rrezik çarje. Ndaj sipas specialistëve ndërhyrja ishte e domosdoshme.

Rezervuari i Kasharajt ka një sipërfaqe prej 100 ha dhe është ndërtuar në vitet 1984-1985 me qëllim përdorimin e ujit për vadije në zonën e Lushnjes.

Tv Klan

/tvklan.al