Një ditë pasi ekspertët e misionit EURALIUS deklaruan se reforma e imunitetit mund të nisë tani dhe të bëhet pa prekur nenet e tjera të Kushtetutës, Partia Demokratike i ka bërë thirrje kreut të selisë rozë, Edi Rama, që të votojë më 6 gusht këtë reformë jetike për marrjen e statusit vjeshtën e këtij viti.
Në një dalje për mediat nga selia blu, zëdhënësja e demokratëve, Silvi Bardhi, ftoi kreun e opozitës Edi Ramën të heqë dorë nga pazaret bllokuese.
Silvi Bardhi: “Për rrëzimin e murit të imunitetit këshilli i miliarderëve kërkon të vendosë në zyrat e Fidelit, Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe atë të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjykatësit e tyre, Prokurorin e Përgjithshëm dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në mënyrë që kjo kupolë të ketë të garantuar pasurimin e tyre të paligjshëm dhe pavarësisht se për cilën forcë politike votojnë qytetarët ata të bëjnë ligjin me Kushtetutën e sundimit të pakicës. PD thekson edhe një herë se muri i imunitetit është muri i korrupsionit. PD i bën thirrje edhe një herë zotit Rama. Dëgjoje zërin e qytetarëve shqiptarë që duan barazi para ligjit edhe zyrtarët e tyre, mbi të cilët muri i imunitetit vjen i rëndë sa toka dhe të votojmë së bashku më 6 gusht heqjen apo sipas rastit kufizimin e imunitetit si një histori suksesi për çdo qytetar të këtij vendi.”
Edhe aleatja më e ngushtë e demokratëve në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes numrit dy, Petrit Vasili, inkurajoi palët për një proces konsensual për çështjen e imunitetit, si dhe kërkoi gjithashtu që të nxitohej për finalizimin e reformës parlamentare brenda datës 6 gusht.
Petrit Vasili: “LSI kërkon sot publikisht që paralelisht me punën e filluar lidhur me procesin e heqjeve të imuniteteve, ditët në vazhdim të shënojnë një rimarrje dhe intensifikim të kësaj problematike duke bërë që në 6 gusht edhe kjo çështje e rëndësishme që ka të bëjë me kushtet politike të përmbushet në mënyrë që Shqipëria të maksimizojë shanset e saj për fitimin e statusit të vendit kandidat.”
Miratimi me konsensus nga klasa politike i reformës zgjedhore, imunitetit dhe reformës parlamentare janë ndër detyrimet që Kuvendi duhet të përmbyllë brenda këtij sesioni, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat vjeshtën e këtij viti, duke u afruar një hap më pranë Bashkimit Europian./tvklan.al












Botërori 2026 