“Rama, autori i masakrës elektorale”

Ftesën e Kryeministrit Rama për t’u konsultuar me Partinë Demokratike për emrin e Presidentit të ri, pas shkarkimit të Ilir Metës, demokratët e cilësojnë diversion për të hequr vëmendjen nga masakra elektorale e 25 Prillit.

Përmes një deklarate për mediat, selia blu sqaron se asnjë diversion nuk do e ndalë opozitën nga beteja e nisur për zbardhjen e vjedhjes së votave.

“Edi Rama është autori i masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Me qëllim që të largojë vëmendjen ai vazhdon gënjeshtrat, manipulimet dhe diversionet. Vjedhja e zgjedhjeve nga Rama-Doshi-Rakipi e çuan vendin tonë drejt një masakre masive elektorale, ku viktimat janë qytetarët shqiptarë dhe e ardhmja e tyre. Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Asnjë diversion nuk do të na ndalë në këtë betejë, duke filluar me shpalosjen e fakteve, provave dhe të dhënave që dëshmojnë pëmasën e plotë të masakrës zgjedhore nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi”.

Për të përforcuar këto akuza, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi zbardhi skemën kriminale sipas tij të blerjes së votave në Vaun e Dejës.

Demokratët akuzuan Drejtorin e Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj si dhe kandidatin për deputet të Partisë Socialiste në këtë qark, Frrok Gjini, se qëndrojnë pas krimit elektoral, për të cilin më herët selia blu ka bërë edhe një kallëzim në SPAK.

Sipas Bardhit, në cilësinë e provës materiale, policia ndonëse gjeti në makinën e vëllait të kandidatit për deputet të PS-së 2 armë zjarri, shuma të mëdha parash që përdoreshin për të blerë vota, materiale zgjedhore dhe lista të banorëve të zones, e la të lirë tre orë pasi e arrestoi.

Tv Klan