Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, kanë firmosur udhëzimin që përcakton kriteret dhe procedurat për propozimin e kandidatëve për kryetarë bashkish.
Procesi do të zhvillohet në të gjitha degët e PD-së dhe do të përfshijë jo vetëm anëtarësinë dhe strukturat e partisë, por edhe mbështetësit, simpatizantët, shoqërinë civile, akademikët, profesionistët dhe komunitetet lokale.
Sipas udhëzimit, kandidatët duhet të kenë integritet të lartë moral e profesional, reputacion të pacenuar, arsim të lartë dhe angazhim të dëshmuar në jetën publike, si dhe kontribute në PD ose në kauza qytetare.
Vlerësimi i kandidaturave do të kryhet nga një Komision i Seleksionimit me pesë anëtarë, i cili do t’i rekomandojë Kryesisë së PD-së emrat që plotësojnë kriteret. Ndërkohë, deputetët e PD-së dhe kryetarët aktualë të bashkive konsiderohen automatikisht të kualifikuar për fazat e mëtejshme.
Kandidatët mund të propozohen nga strukturat ose të vetëpropozohen, ndërsa dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë sekretariatit përkatës të PD-së.
Afati përfundimtar për mbledhjen e propozimeve është 30 nëntori 2026.
Kujtojmë se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 9 maj të 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Caktimi i datës 9 maj nga ana e kreut të shtetit erdhi pas takimeve që ai zhvilloi me përfaqësues të partive politike. Thirrjes së Begajt iu përgjigj vetëm Partia Socialiste dhe ajo e PSD-së.
Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë nuk u bënë pjesë e konsultimeve për dekretimin e datës së zgjedhjeve, duke e konsideruar një shfaqje të panevojshme pasi Presidenti sipas tyre do të caktojë në fund datën e preferuar nga mazhoranca.












Botërori 2026 
