Procesi i votimit të emigrantëve në Greqi për Partinë Demokratike është një krim I pastër zgjedhor, pas së cilit ajo thotë se qëndrojnë zyrtarë të Partisë Socialiste.
“Vazhdojmë të kemi skema të krimit zgjedhor. Është kthyer jo në shqetësim, por në një alarm të fuqishëm për integritetin e votës në Greqi. Nga Greqia vijnë kuti të mbushura, ndërkohë që qytetarët nuk marrin dot zarfet. Kjo e kthen në një problem të madh manipulimin masiv që po bëhet në Greqi. Shërbimin nënkontraktor po e bën pushteti i Tiranës”, tha Topalli.
Selia blu kërkon nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që kutitë e votimit që vijnë nga Greqia të trajtohen më vete. Partia Demokratike ripërsëriti thirrjen në adresë të OSBE-ODIHR-it për monitorim ndërkombëtar me fokus të veçantë votën e emigrantëve të Greqisë, ndërsa ftoi SPAK-un të nisë hetimet për çdo shkelje të ligjit.
“Ne do të kërkojmë tashmë që të gjitha zarfet e ardhura nga shteti grek, të mbahen veç”, tha Nuri.
Për problematikën e hasur me votën e diasporës në Greqi, Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, me anë të një letre i kërkon kompanisë kontraktuese, DHL-së, hartimin e një raporti urgjent mbi këtë proces.
“Cilat janë strukturat dhe/ose personeli i angazhuar në këtë proces? A i është deleguar ky proces subjekteve të treta? Nëse po, cila është marrëveshja? Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dërguar njoftim për dërgesën postare të KQZ? Cilat janë arsyet që kjo nuk është bërë? Sa është numri i zgjedhësve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor? Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dorëzuar personalisht në dorë dokumentacioni zgjedhor? A e dispononi ju dokumentacionin provues të rasteve të dorëzimit të dokumentacionit zgjedhor personalisht zgjedhësit”, pyet Celibashi në letrën e tij.
Ndërkohë që edhe Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me kompaninë kontraktuese sa i përket shpërndarjes së zarfave në Greqi.
Tv Klan