E enjtja pritet të rezervojë të njëjtat pamje si ato të seancës së kaluar në Parlament.

Demokratët nuk kanë aspak ndërmend të tërhiqen nga aksioni i mosbindjes civile, të cilin presin ta përshkallëzojnë edhe më tej, pavarësisht përjashtimeve nga punimet e Kuvendit për akte dhune, procedimit penal dhe dëmshpërblimit që duhet të paguajnë nga paga e tyre për dëmet e shkaktuara në kuvend.

Pas mbledhjes së deputetëve demokratë në selinë blu, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi tha se opozita do bëjë gjithçka për të mos lejuar aktivitet normal të seancës plenare.

“Seancën e nesërme grupi ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme.”

E teksa Komisioni i Etikës pritet të ndëshkojë rebelët demokratë, Bardhi i cilësoi spontane aktet e dhunës dhe zjarrvënien në kuvend.

“Të përjashtosh opozitën nga Kuvendi, të burgosësh dhe të tentosh të asgjësosh opozitën është shpallje lufte ndaj PD-së e pozitës në tërësi. Reagimet tona janë spontane dhe të çastit të diktuara nga sjellet e mazhorancës.”

Me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr dhe goditje për shkak të detyrës, Komisariati 1 i Policisë së Tiranës dorëzoi në SPAK kallëzim për 23 deputetë të opozitës që u përfshinë në akte dhune dhe zjarrvënie në seancën plenare të së hënës.

Tv Klan