Parlamenti Europian ka miratuar sot, 17 qershor, raportin vjetor të progresit për Shqipërinë me 483 vota pro. Raporti ka marrë po ashtu 103 vota kundër dhe 70 vota abstenim.
Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, në fjalimin e tij të mbajtur në Parlamentin Europian tha se objektivi i Shqipërisë mbetet, që vendi të integrohet në BE brenda vitit 2030.
“Shqipëria ka si objektiv që të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030. Gjithashtu, objektivi është që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027.
Më shumë se 90 përqind e qytetarëve të Shqipërisë e duan anëtarësimin në Bashkimin Europian”, ka thënë Schieder. Ai ka shtuar se Shqipëria si një shtet kandidat ka ndjekur hapat e nevojshëm.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku u diskutuan raportet e hartuara rreth shteteve ballkanike, raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder vlerësoi progresin e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është tashmë një hap përpara në Bashkimin Evropian, sepse gjëja e veçantë, që mund të thuhet për të, madje receta e suksesit, është fakti se më shumë se 90% e popullsisë e mbështesin anëtarësimin në BE dhe spektri politik po ashtu e mbështet.
Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj integrimit evropian sepse të gjithë grupkapitujt e negociatave u hapën në 13 muaj. Kjo tregon gjithashtu se ky vullnet politik për reforma po jep rezultate”, tha Andreas Schieder.
Duke folur për sfidat e ardhshme, ai theksoi se zgjerimi nënkupton mbi të gjitha zbatimin e reformave afatgjata që forcojnë shtetin e së drejtës, drejtësinë sociale dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Nga ana tjetër, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos shprehu besimin se Mali i Zi dhe Shqipëria si shtete pararojë nga rajoni ynë mund të jenë anëtarët e ardhshme të BE-së.
Vendimin e Parlamentit Europian e përshëndeti edhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Sipas tij, në këtë moment u dëshmua ecuria pozitive e Shqipërisë me reformat për të arritur objektivin e anëtarësimit në BE, brenda 2030-ës. Më tej, Rama theksoi se flamingot dhe zona e Vjosë-Nartës do të mbrohen, ndërsa zhvillimi i planifikuar në Zvërnec do vijojë, por kjo do të bazohet në një vlerësim të ndikimit në mjedis, sipas standardeve të Bashkimit Europian…(Lexo më shumë)
Për miratimin e progres-raportit reagoi edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Balla, përmes një postimi në rrjetet sociale, u shpreh se ky votim nga PE është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“LAJM I MIRË Parlamenti Europian sapo miratoi me 483 vota PRO – një shumicë domethënëse Rezolutën vjetore për Shqipërinë. Ky vendim i sotëm i përfaqësuesve direktë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqiperisë sonë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Faleminderit të gjithë anëtarëve të Parlamentit Europian që votuan në mbështetje të së ardhmes europiane të Shqipërisë. Një falenderim i posaçëm për hartuesin e Rezolutës Raporterit për Shqipërinë Andreas Schieder, Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE gjithashtu edhe për Andrey Kovatchev, Raporter për Shqipërinë në Grupin e Partive Popullore Europiane”, shkruan Balla.












Botërori 2026 
