Në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku janë diskutuar raportet e hartuara rreth shteteve ballkanike raporteri Andreas Schieder vlerësoi progresin e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është tashmë një hap përpara në Bashkimin Evropian, sepse gjëja e veçantë, që mund të thuhet për të, madje receta e suksesit, është fakti se më shumë se 90% e popullsisë e mbështesin anëtarësimin në BE dhe spektri politik po ashtu e mbështet. Qëllimi duket të jetë që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë deri në fund të vitit 2027, ky të mos jetë një ëndërr, por një perspektivë realiste. Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj integrimit evropian sepse të gjithë grupkapitujt e negociatave u hapën në 13 muaj. Kjo tregon gjithashtu se ky vullnet politik për reforma po jep rezultate”, tha Andreas Schieder.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Schieder ia kushtoi turizmit të qëndrueshëm, një temë që, sipas tij, është diskutuar gjerësisht në Shqipëri.
“Turizmi i qëndrueshëm është e vetmja mënyrë miqësore për të ardhmen. Turizmi krijon vende pune dhe rritje ekonomike, por vetëm nëse në planin afatgjatë, natyra dhe mjedisi nuk dëmtohen. BE-ja ka standarde të qarta këtu me instrumente ligjore, në përputhje me mjedisin e deri tek mbrojtja e hapësirave natyrore, mbrojtja e zogjve dhe kafshëve të tjera, ndaj të gjitha këto ligje mbrojtëse, se këto merren gjithashtu në konsideratë. Në fund të fundit ato janë standardet evropiane dhe Shqipëria, jam i sigurt, dëshiron ti përmbushë të gjitha ato dhe nuk rrezikon asgjë këtu”, shtoi Schieder.
Duke folur për sfidat e ardhshme, ai theksoi se zgjerimi nënkupton mbi të gjitha zbatimin e reformave afatgjata që forcojnë shtetin e së drejtës, drejtësinë sociale dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
“Kjo arrihet vetëm me zbatimin e vazhdueshëm të reformave të qëndrueshme, që forcojnë sundimin e ligjit, që promovojnë drejtësinë sociale dhe që sjellin përmirësime konkrete në jetën e njerëzve”, përfundoi ai.
Komisionerja Kos shprehu besimin se Mali i Zi dhe Shqipëria si shtete pararojë nga rajoni ynë mund të jenë anëtarët e ardhshme të BE-së.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
