Që prej mbrëmjes së djeshme besimtarë nga i gjithë vendi janë drejtuar kishës së Shna Ndout në Laç për të marrë pjesë në pelegrinazhin e 13 Qershorit, ditë që përkon me vdekjen e shenjtorit afro 7 shekuj më parë.

Në ngjitjen drejt vendit të shenjtë besimtarët ndjekin rrugën që mendohet se Shna Ndout ka ndjekur deri në mbërritje në shpellën e Shën Vlashit. Ecja këmbë zbathur, ndezja e qirinjve, lënia e objekteve personale dhe lutja janë disa nga ritualet që besimtarët kryejnë  ditën e Shna Ndout.

Paraditen e 13 Qershorit besimtarët marrin pjesë në meshën tradicionale e cila përmbyll edhe pelegrinazhin  e 13 të martave të Shna Ndout.

“Gjithçka që i kam kërkuar Zotit, Perëndisë mi ka dhënë mi ka besuar dhe më shpien mbarë. Është e vërtetë Jesusi që është i gjallë. Zoti na bekoftë të gjithë shqiptarët.”

“Këtu gjej mirësi, gjej paqen  në familje. Në qoftë se vjen me kuptim të plotë, me besim të plotë këtu gjen shërim.”

“Falenderojmë Zotin, shenjtin e fortë që na ka  dhënë ndihmë kush ja ka kërku  edhe i ka ardh me besim ka gjet derman  në këtë vend.”

Marshimi i pelegrinëve drejt kishës së Laçit  është mbikëqyrur nga forcat e policisë të cilat  kanë siguruar mbarëvajtjen  e aktivitetit. Pelegrinazhi i kishës së Shna Ndout mbledh çdo vit rreth 1 milionë besimtarë  nga i gjithë vendi./tvklan.al

/tvklan.al