Netanyahu: Izraeli sot më i fortë, Irani më i dobët
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është më i fortë se kurrë, ndërsa Irani, sipas tij është dobësuar ndjeshëm.
Ai tha se veprimet ushtarake izraelite kanë penguar një kërcënim bërthamor dhe zhvillimin e raketave balistike nga Irani.
Netanyahu shtoi se rezultatet e kësaj lufte do të gjykohen nga historia.
Nis raundi i ri i bisedimeve Liban-Izrael në Uashington
Në Uashington ka nisur raundi i tretë i bisedimeve direkte mes Libanit dhe Izraelit për armëpushimin në kufi.
Zyrtarët libanezë shpresojnë që negociatat të sjellin një marrëveshje të re për ndalimin e luftimeve dhe të hapin rrugën për tërheqjen e forcave izraelite nga jugu i Libanit.
Në diskutime përfshihet edhe çështja e çarmatimit të Hezbollahut. Libani ka deklaruar se mbështetet te ndërmjetësimi amerikan për të arritur një marrëveshje me Izraelin.
Obama mbron marrëveshjen me Iranin dhe kritikon Trump
Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka mbrojtur marrëveshjen bërthamore me Iranin gjatë një interviste televizive.
Ai tha se marrëveshja u arrit përmes diplomacisë, pa përdorur forcë ushtarake.
Obama kritikoi Donald Trump, duke thënë se qasja e tij është e rrezikshme dhe nxit tensione. Ai theksoi se marrëveshja shmangu konfliktin dhe përshkallëzimin ushtarak në rajon.

Rreth 30 anije kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit me autorizimin e Iranit që nga mbrëmja e së mërkurës, 13 maj, raporton Al Jazeera duke cituar transmetuesin shtetëror IRIB.
Duke iu referuar marinës së Gardës Revolucionare, raporti vjen pak pasi mediat iraniane thanë se Teherani ka nisur të lehtësojë kalimin e anijeve kineze përmes kësaj rruge ujore jetike.
SHBA-të besojnë te Kina për hapjen e Ngushticës së Hormuzit
"China should open up," Treasury Secretary Scott Bessent told CNBC. "China's domestic economy has been weak … China really needs to create a bigger consumer economy." pic.twitter.com/utH8umO6JY
— CNBC (@CNBC) May 14, 2026
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është në interesin më të mirë të Kinës dhe se beson që Pekini do të bëjë çfarë të mundet për ta rihapur këtë rrugë ujore, raportoi Reuters.
“Mendoj se ata do të bëjnë gjithçka që munden”, tha Bessent në një intervistë për CNBC.
Bessent foli nga Beijing, ku po shoqëron presidentin Donald Trump gjatë një vizite në Kinë.
Një sulm izraelit në qytetin jugor libanez të Srifës ka shkatërruar plotësisht një kompleks banimi dhe ka vrarë dy persona, raporton Al Jazeera, duke cituar Agjencinë Kombëtare të Lajmeve.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, ranë dakord që Ngushtica e Hormuzit “duhet të mbetet e hapur”. Kështu njofton Shtëpia e Bardhë, ndërsa dy liderët u takuan në Pekin, sipas AFP-së.
“Të dyja palët ranë dakord se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për të mbështetur rrjedhën e lirë të energjisë”, tha Shtëpia e Bardhë.

Ushtria e Izraelit ka njoftuar se ka kryer sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në jug të Libanit, vetëm disa orë para se të nisin në Washington bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-të mes dy vendeve, raporton AFP.
“Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë nisur goditjen e infrastrukturës terroriste të Hezbollahut në disa zona në jug të Libanit”, deklaroi ushtria, pasi më herët kishte lëshuar paralajmërime për evakuim në disa fshatra të zonës.
Interneti bëhet luks në Iran

Pas muajsh nën një ndërprerje pothuajse totale të internetit gjatë luftës në Lindjen e Mesme, punonjësi iranian i teknologjisë Amir Hassan më në fund ka arritur të rikthehet online, por vetëm përmes një shërbimi të privilegjuar që ka ngjallur kritika publike, raporton AFP.
Miliona njerëz si 39-vjeçari kanë qenë të paaftë të përdorin internetin që nga 28 shkurti, duke goditur rëndë sipërmarrësit dhe punëtorët online.
Megjithatë, Hassan nuk hezitoi kur mori një mesazh që i ofronte mundësinë të rikthehej online duke blerë të ashtuquajturin sistem “Pro Internet”, i cili është i dedikuar për profesionistë dhe biznese të caktuara.
“Ishte nga nevoja. U detyrova të siguroja internetin që të ruaja rrjedhën e të ardhurave të mia”, tha ai për AFP, duke shtuar se pagoi rreth 11 dollarë për një paketë fillestare prej 50 gigabajtësh.
Ndërprerja e internetit që nga fillimi i luftës ka lënë shumicën e qytetarëve të shkëputur nga rrjeti, me përjashtim të disa faqeve lokale, shërbimeve bankare dhe aplikacioneve të miratuara nga shteti.
Irani kërkon front të bashkuar në BRICS

Irani u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BRICS-it që të dënojnë shkeljet e ligjit ndërkombëtar që, sipas tij, po kryhen nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ka deklaruar ministri i Jashtëm Abbas Araghçi në një deklaratë në Telegram, raporton AFP.
Ai gjithashtu u kërkoi vendeve të BRICS-it të parandalojnë politizimin e institucioneve ndërkombëtare.
“Sensi i rremë i superioritetit dhe i imunitetit të Perëndimit duhet të shkatërrohet nga të gjithë ne”, ka thënë ai. Në BRICS bëjnë pjesë Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezia.












Botërori 2026 