Për Mirelën, gruaja që e ka sjellë në jetë ka vendin e saj, por ajo që e ka rritur është njeriu më i rëndësishëm, siç e quan ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Tezja Bedrie është figura me të cilën Mirela ka një lidhje të veçantë, si shoqe, si nënë, si personin që i ka mësuar gjithçka e i ka dhënë forcë.

Tezja e ka rritur, i është gjendur pranë në çdo moment, edhe kur i ndanin kilometra. Bedria e ka ndihmuar në momente të vështira duke harruar edhe problemet e saj shëndetësore. Kur sheh mbesën në ekran, tezja thotë se në të vërtetë vendet duhet të ishin ndërruar, por Mirela mendon të kundërtën. Dashuria e tyre e pakushtëzuar sjell një mesazh të vërtetë e të fortë për marrëdhëniet njerëzore.

Mirela: Unë të jam shumë mirënjohëse ty se ti për mua nuk ke qenë vetëm një teze, por ke qenë një nënë. Nuk është nënë vetëm ajo që lind fëmijë, por edhe ajo që i rrit. Ti më ke rritur mua me aq dashuri, me mbështetje, më ke ndenjur gjithnjë afër edhe për vajzën se ishe vetë keq se kalove koronën dhe çdo gjë tjetër që ke kaluar, je shumë grua e fortë dhe të kemi marrë shembull.

Bedrie: Pa ju unë nuk isha e fortë. Mbështetja juaj, ndaj jam këtu.

Mirela: Edhe ne për ty, ti nuk e sheh këtë pjesë, por na ke dhënë shumë forcë.

Bedrie: Çfarë keni bërë ju për mua… kjo është surpriza më e madhe, më e mirë që më keni bërë, por ju ishit për këtu!

Ardit Gjebrea: Ky mesazh është shumë i rëndësishëm sepse nuk është thjesht ajo që ju i jepni njëra-tjetrës, pra “Ka Një Mesazh Për Ty”, është pak më shumë, “Ka Një Mesazh Për Ju.” Nga kjo marrëdhënie çfarë kuptojmë? Ka njerëz të cilët llogarisin vetëm çfarë marrin, ndërsa shembulli i tezes është që nuk sheh se çfarë jep, por shikon se çfarë merr dhe nuk e llogarit atë që jep. Ndërkohë që në jetë ka shumë njerëz të cilët thonë që unë kam dhënë pafund dhe çfarë kam marrë, asgjë, prandaj dua vetëm të marr, ndërkohë ka njerëz që japin pafund, nuk llogarisin se çfarë marrin sepse është e rëndësishme se çfarë jep në jetë dhe ajo që merr, vjen vetë dhe unë them gjithmonë, vjen nga Zoti.

/tvklan.al