Moderatori Bledi Strakosha ka treguar disa nga zakonet e tij të përditshme në rubrikën “Si nis një ditë e…” në emisionin “Shije Shtëpie”, këtë të premte, më 13 nëntor, ku ndau detaje nga rutina e tij dhe jeta personale.

Strakosha tregoi se nuk ka një marrëdhënie të mirë me alarmin e celularit, ndaj kur ka angazhime të hershme, mbështetet te telefonatat e të afërmve dhe kolegëve. Ai pohoi se ka ende telefon shtëpie, të cilin e përdor për t’u zgjuar, pasi detyrohet të çohet për t’iu përgjigjur.

Motra është personi që interesohet e para për të çdo mëngjes. Moderatori tregoi se, duke qenë se jeton vetëm, ajo kujdeset të sigurohet nëse është zgjuar dhe nëse gjithçka është në rregull. Edhe miqtë e tij tregohen të vëmendshëm dhe, në rast se nuk marrin përgjigje për një kohë të gjatë, shqetësohen deri në atë pikë sa shkojnë personalisht në shtëpinë e tij.

“Çdo ditë, mesazhin e parë e marr nga ime motër. Sepse ngaqë unë jetoj vetëm, ka dhe pak këtë merakun jo vetëm në kuptimin shëndetësor të gjësë, po tani çfarë s’ndodh. Dhe ajo e ka këtë merak. Pastaj kam shumë njerëz, shumë miq të dashur, të cilët më zgjojnë me një mesazh të thjeshtë duke më uruar ‘mirëmëngjes’ dhe ‘ditë të mbarë’.

Dhe ajo që më pëlqen është që nëse nuk marrin përgjigje për njëfarë kohe, bëhen shumë merak. Ka patur raste sa më kanë ardhur dhe në derë të shtëpisë. Dhe kjo sigurisht më gëzon, se në fund të ditës këtu i kupton miqtë. Se familjarët e dimë që i kemi në të mirë e në të keq, po miqtë i kuptojmë në këto raste. Edhe më rezultoi që kë kam patur pranë i kam zgjedhur mirë domethënë.”

Strakosha foli edhe për besimin dhe marrëdhënien e tij me Zotin. Ai tha se është rritur në një familje besimtare dhe se kjo frymë e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.

“Unë e kam dashur gjithmonë Zotin. Kam qenë gjithmonë besimtar, duke qenë dhe nga Dhërmiu, ne jemi njerëzit më besimtarë të jugut të Shqipërisë. Dhe jam rritur me këtë frymë. Nuk jam njeri që besoj tek institucionet fetare, megjithëse shkoj në kishë, pra lidhjen me Zotin e kam vertikale dhe e kam të drejtpërdrejtë, jo përmes institucioneve.

Kështu që prandaj kam qirinj pafund, kam kryqe pafund edhe lutem në mënyrë të thjeshtë. E mira ime është që nuk kujtohem për Zotin vetëm kur jam keq, kujtohem gjithmonë. Domethënë shpeshherë ndez dhe një temjan. Edhe më pëlqen dhe ajo aroma e temjanit, se largon djallin thonë, nëse ka hyrë ndonjëherë ndonjë djall këtu brenda. Edhe bëj lutje të thjeshta me një qiri atje, më pëlqen kjo gjë, më krijon paqe.”

Ai u ndal edhe marrëdhënia me prindërit dhe koha që përpiqet t’u kushtojë atyre. Strakosha u shpreh se, me kalimin e viteve, prindërit kanë nevojë për më shumë kujdes dhe se ai përpiqet të jetë pranë tyre çdo ditë, pavarësisht angazhimeve profesionale.

“Është e habitshme se si bëhen sërish fëmijë njerëzit, domethënë në një moshë të caktuar. Të dy prindërit unë i dua shumë. Babi është në moshë më të thyer natyrshëm, është gati 10 vite më shumë se mami në moshë. Dhe të dy kanë probleme të moshës natyrisht, po gjejmë gjithmonë kohë për ta. Asnjëherë nuk kam lejuar që puna apo dhe kënaqësitë e vogla apo të mëdha të jetës mua të më pengojnë që të gjej kohë për prindërit e mi.

Natyrisht ka raste që dua të rri gjithë ditën dhe nuk e bëj dot këtë, mund të rri vetëm disa orë. Por ama çdo ditë kam mundësuar një hapësirë për ta. Dhe me mamin kuptohet, si çdo djalë, kam një lidhje të veçantë, dihet kjo gjë. Po edhe babin e dua shumë edhe bisedat më të rëndësishme i bëj me babin në fakt.”

/tvklan.al