Sipas një studimi të ri, përdorimi i kanabisit, dyfishon rrezikun për vdekjen e shkaktuar nga sëmundjet e zemrës.
Në studim u vlerësuan 200 milionë njerëz, të moshave nga 19 deri në 59 vjeç, raporton CNN.
Autorja kryesore e studimit, Émilie Jouanjus, profesoreshë e asociuar e farmakologjisë në universitetin francez të Tuluzës, shprehet se pacientët e shtruar në spitale nga përdorimi i kanabisit, e që kanë shfaqur probleme që lidhen me zemrën, ishin kryesisht të rinj, të cilët nuk kanë pasur historik nga këto probleme.
Krahasuar me jo-përdoruesit, ata që përdorën kanabis kishin gjithashtu një rrezik 29% më të lartë për atak në zemër dhe një rrezik 20% më të lartë për goditje në tru.
“Ky është një nga studimet më të mëdha deri më sot mbi lidhjen midis marihuanës dhe sëmundjeve të zemrës, dhe ngre pyetje serioze rreth supozimit se kanabisi shkakton pak rrezik kardiovaskular”, tha pediatri Dr. Lynn Silver, një profesoreshë klinike e epidemiologjisë dhe biostatistikës në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.
“Të bësh këtë siç duhet është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në nivel global”, tha Silver.
Silver bën thirrje për ndryshim në mënyrën se si shihet kanabisi nga profesionistët e shëndetit, organet rregullatore dhe publiku i gjerë.
“Mjekët duhet t’i shqyrtojnë njerëzit për përdorimin e kanabisit dhe t’i edukojnë ata rreth dëmeve të tij, në të njëjtën mënyrë siç bëjmë ne për duhanin, sepse në disa grupe të popullsisë ai po përdoret më gjerësisht se duhani”, tha ajo.
“Sistemi ynë rregullator, i cili është përqendruar pothuajse tërësisht në krijimin e infrastrukturës ligjore dhe licencimin e bizneseve ligjore, fitimprurëse (të kanabisit), duhet të përqendrohet shumë më fort në paralajmërimet shëndetësore që i edukojnë njerëzit rreth rreziqeve reale”, shtoi ajo.
Pirja e duhanit është një shkak i njohur i sëmundjeve të zemrës, si tymi ashtu edhe kimikatet në duhan dëmtojnë enët e gjakut dhe rrisin mpiksjen.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që pirja ose thithja e kanabisit mund të bëjnë të njëjtën gjë, tha Silver.
Dr. Beth Cohen, profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, u shpreh se ideja se pirja e duhanit të kanabisit është më pak e dëmshme sepse është “natyrale” është thjesht e gabuar.
“Kur digjni diçka, qoftë duhan apo kanabis, ajo krijon komponime toksike, kancerogjene dhe lëndë grimcore që janë të dëmshme për shëndetin”, tha Cohen.
Megjithatë, sipas një studimi të majit 2025, ushqimet e ngrënshme mund të luajnë gjithashtu një rol në sëmundjet e zemrës.
Njerëzit që konsumonin produkte ushqimore të pasura me tetrahidrokanabinol, ose THC, treguan shenja të hershme të sëmundjes kardiovaskulare të ngjashme me duhanpirësit.
“Ne zbuluam se funksioni vaskular ishte zvogëluar me 42% tek duhanpirësit e marihuanës dhe me 56% tek përdoruesit e produkteve të ngrënshme me THC krahasuar me jo-përdoruesit”, tha për CNN në një intervistë të mëparshme Dr. Leila Mohammadi, një asistente studiuese në kardiologji në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.
/tvklan.al












Botërori 2026 
