16 gusht 2026 – Pushuesit e një hoteli të ndodhur në Lungomare të Vlorës janë zgjuar të tmerruar si pasojë e flakëve që kishte përfshirë godinën rreth orës 04:05 të mëngjesit sot.

Flakët kanë nisur nga ambientet e restorantit të shkaktuara nga djegia e prizës së frigoriferit e më pas janë përhapur në katet më sipër. Për pasojë të lënduar kanë mbetur 6 persona, 5 prej të cilëve janë dërguar drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Një prej të lënduarve është dërguar në spitalin e Vlorës.

5 prej personave të prekur nga zjarri janë nga Kosova ndërsa 1 tjetër nga Rrësheni. Ministria e Shëndetësisë ka dalë me një deklaratë zyrtare për të lënduarit nga zjarri.

Njëra prej pacienteve që po merr trajtim në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ është në gjendje të rëndë për shkak të djegieve masive që ka pësuar në trup. Një tjetër pacient që ka pësuar dëmtime të shumta, ndodhet në gjendje më të qetë.

Ndërkohë i lënduari tjetër që ndodhet në QSUT, është në gjendje stabile dhe po mbahet nën monitorim. Në spitalin e Traumës po marrin mjekim 2 persona, të cilët kanë pësuar dëmtime të shumta.

Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë

Si pasojë e zjarrit të rënë në një hotel në Vlorë, në QSUT janë paraqitur tre qytetarë, të cilët aktualisht po marrin trajtim mjekësor.

Njëra prej pacienteve është në gjendje të rënduar, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve, ndaj kërkon monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

Pacienti tjetër klinikisht paraqitet më i qetë dhe po ndiqet nga stafi mjekësor.

Ndërsa në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim mjekësor dy paciente, të cilat janë paraqitur me dëmtime të shumta.

Njëra prej pacienteve paraqitet në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe vijon të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor.

Pacientja tjetër, gjendja shëndetësore e së cilës është aktualisht e stabilizuar, por për shkak të dëmtimeve të marra do të vijojë të mbahet në monitorim intensiv  dhe të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.

Stafet mjekësore do vijojnë të ndjekin me kujdes gjendjen shëndetësore të pacientevë duke ofruar  trajtimin e nevojshëm mjekësor.

/tvklan.al