Ky objekt 5-katësh, i ndërtuar pa leje në Qeparo, ka çuar në shkrirjen e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë së Himarës nga kryebashkiaku Vangjel Tavo dhe pezullimin nga detyra me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë të gjithë zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë në dhjetor të 2025, kur dhe ka nisur ndërtimi.
Firmosja e shkarkimit të 5 zyrtarëve të këtij inspektoriati, drejtues dhe inspektorë, sipas kreut të bashkisë, Vangjel Tavo, vjen pasi ata nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e territorit.
“Sot janë pezulluar 5 punonjës nga puna. Situata e sotme është e patolerueshme, kanë lejuar një ndërtim 5-katësh. Do t’i drejtohem me shkresë zyrtare dhe IKMT-së, duke i kërkuar që të mbulojë edhe territorin e bashkisë së Himarës.”
Sa i takon uniformave blu, janë pezulluar 4 punonjës, mes të cilëve ish-Shefi i Komisariatit të Policisë Himarë, që aktualisht është Shefi i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Vlorë.
Kjo është hera e dytë që kreu i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, shkrin inspektoriatin e mbrojtjes së territorit.
“Detyrohem ta shkrij për herë të dytë IMT-në e bashkisë së Himarës, për shkak të neglizhencës së tyre. Në terren ka ndërtime pa leje të konstatuara ditët e fundit. Për mua, kjo strukturë, në momentin që nuk kryen funksionin që parashikon ligji, është e tepërt për bashkinë e Himarës.”
Ndërkohë, mësohet se ai do t’i referojë në prokurori inspektorët e IMT-së, duke ngritur edhe akuza ndaj tyre.
Ndërtesa 5-katëshe dhe me një kat nëntokësor, në vendin e quajtur Sugë të bashkisë së Himarës, u shemb këtë të hënë nga forcat e IKMT.
Po për këtë objekt të konstatuar pa leje, policia, për shpërdorim detyre, ka shpallur në kërkim 3 zyrtarë të IMT-së, mes tyre kryeinspektorin, dhe ka vënë në pranga të dielën pasdite personin që po e ndërtonte.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 