Përfundon restaurimi i hamamit të Durrësit. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Be në vendin tonë Silvio Gonzato. Në fjalën e tij ai e vuri theksin në rëndësinë e këtij projekti.

Silvio Gonzato, ambasador i BE në Tiranë: Ky ishte një projekt shumë i përzemërt për mua sepse është një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit tuaj. Prandaj pas tërmetit të vitit 2019 Bashkimi Europian nuk u solidarizua vetëm për të ndërtuar shkollat, por edhe për restaurimin e siteve kulturore.

Restaurimi i Hamamit të Durrësit u bë në kuadër të programit të Bashkimit Europian Eu4Culture.

Silvio Gonzato, ambasador i BE në Tiranë: Ky është programi më i madh mbështetës për Ballkanin Perëndimor që ka në fokus restaurimin e siteve të trashëgimisë. Deri tani ne kemi restauruar 15 objekte kulturore dhe vijon puna me 8 të tjera. Bashkimi Europian nuk është vetëm aspekti ekonomik, por ne jemi të fokusuar edhe tek kultura.

Hamami i Durrësi është një nga 10 hamamet në vendin tonë që kanë mbijetuar nga periudha e perandorisë osmane. Ai është ndërtuar në shekullin e 18 dhe është i pozicionuar në juglindje të qytetit mesjetar.

Klan News