Tuneli i dytë i rrugës Durrës-Kukës është hapur mesditën e të premtes, duke shënuar kështu dhe përfundimin zyrtar të veprës më të madhe inxhinierike të infrastrukturës rrugore.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe  homologu i tij kosovar Fatmir Limaj, si dhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Të tre ministrat e quajtën hapjen e galerisë së dytë të këtij tuneli, një moment historik për lidhjen mes  Shqipërisë dhe Kosovës.

Dy galeritë e tunelit të Thirrës kanë të njëjtën gjatësi prej 5.6 kilometrash, 13 metra gjerësi dhe 10 metra lartësi.

Ndërtimi i tyre është konsideruar si pjesa më e vështirë e rrugës Durrës-Kukës. Tuneli kalon nën malin e quajtur Qafa e Kumbullës.

Sipas të dhënave për hapjen e dy galerive janë hequr rreth 33 milionë metër kub material shkëmbor.

Tunelet janë të pajisura me të gjithë sinjalistikën orientuese dhe rrugore, kamerat e sigurisë, sistemet e alarmit dhe daljet e emergjencës në rast bllokimi.

Pas tre vjet punimesh, kompania Bektel-Enka me hapjen e tunelit të dytë mbyll përfundimisht rrugën Durrës-Kukës./tvklan.al

/tvklan.al