05 tetor 2026 – Pasi ish-numri dy i qeverisë shqiptare, Arben Ahmetaj, publikoi disa përgjime që implikojnë shoqërinë shtetërore KAYO në plane për trafik armësh, Prokuroria e Posaçme (SPAK), nisi hetimet kryesisht e më pas ushtroi dhe disa kontrolle, konkretisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe te disa persona të dyshuar.
Gazetarja e Klan News Glidona Daci, në studion e “Opinion” deklaroi se SPAK deri më tani ka ngritur si akuza “Shërdorim detyre” dhe “Shkelje e barazisë në tendera”, por ende nuk ka emra konkretë të personave të dyshuar.
“SPAK, pas denoncimit të Arben Ahmetajt, ka regjistruar një hetim kryesisht. Çështja ka kaluar fazën e verifikimit. Aktualisht, procedimi është regjistruar për dy vepra penale: shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Deri tani nuk ka emra të regjistruar si persona nën hetim. Në bazë të rezultateve të hetimit priten zhvillime të tjera. Prokurori i çështjes është Klodian Braho, i cili po drejton hetimet”, tha Daci.
Në përgjimet e publikuara nga ish-zv,kryeministri Ahmetaj, del në skenë biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet, i cili flet për trafik armësh drejt Ukrainës me tranzit Shqipërinë nëpërmjet KAYO, e cila drejtohet nga Ardi Veliu. Sipas mediave, ndaj tyre janë ushtruar kontrolle personale, si dhe ka pasur dhe sekuestrime. Vetë Veliu ka mohuar që SPAK t’i ketë sekuestruar celularin.
Kontrolle pretendohet se janë ushtruar dhe ndaj Arjeta Puca, ortake e Ron Yeffet, kompani me të cilën është futur në bashkëpunim me KAYO-n. Sipas gazetares Daci, SPAK ka sekuestruar dhe disa kontrata në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat mbeten për tu verifikuar.
“Pasi ka regjistruar procedimin, SPAK i është drejtuar gjykatës dhe ka kryer disa kontrolle banesash dhe kontrolle personale. SPAK zyrtarisht nuk ka bërë të ditur se kujt i është marrë telefoni dhe nuk pranon të japë më shumë të dhëna.
Janë sekuestruar gjithashtu disa kontrata në Ministrinë e Mbrojtjes. Është kryer kontroll personal edhe ndaj Arjeta Pucës. Ardi Veliu ka theksuar se nuk i është marrë telefoni. Pritet që në ditët në vijim të thirren persona në dijeni, të cilët mund t’i shërbejnë hetimit. Sipas informacioneve, janë sekuestruar dokumentacion dhe pajisje teknologjike”, tha Daci.
Ron Yeffet, një vit më parë ka marrë 49% të aksioneve nga kompania TIMAK e Arjeta Puca. KAYO në bashkëpunim me TIMAK kanë krijuar kompaninë bijë TIMAK Defence (për prodhim dhe përshtatje të automjeteve në bazë të nevojave të ushtrisë shqiptare) nga ku KAYO ka 20% të aksioneve ndërsa TIMAK Defence 80%.
Në përgjime ai flet me një ukrainas me emrin Igor, të cilit i parashtron planet për tranzit armësh që do të prodhohen në Sudan apo Nigeri, ambalazhohen në Shqipëri e me destinacion Ukrainën.
/tvklan.al












Botërori 2026 