24 nëntor 2026 – Deputetja Elisa Spiropali është përjashtuar dhe nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Tashmë mazhoranca numëron 81 deputetë ndërsa Spiropali del e pavarur.
Vendimi është dhënë në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar ku socialistët kanë votuar pro përjashtimit të Spiropalit. Të vetmit që kanë abstenuar janë deputetët Erion Braçe dhe Bledi Çuçi. Vetë Spiropali nuk ka qenë e pranishme në mbledhje dhe as Edi Rama.
Nga Asambleja e PS-së e mbajtur më 14 nëntor, kryeministri dhe kryetari i partisë Edi Rama, e përjashtoi Spiropalin dhe ish-deputetin Plarent Ndreca nga të gjitha forumet drejtuese.
Partia Socialiste ndodhet në limitet e humbjes së “komoditetit” për të miratuar pa problem projektligjet për shkak të tkurrjes së numrit të mandateve nga 83 në 81, kjo për shkak të largimit të Marjana Koçekut disa muaj më parë. Numrin e shumicës së cilësuar prej 84 votash, PS e plotëson me tre mandatet e Partisë Socialdemokrate.
Elisa Spiropali i ka shërbyer Partisë Socialiste që nga Forumi rinor në një moshë fare të re. Ajo ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, përmendur këtu si kryetare e Parlamentit dhe si Ministre e Jashtme për disa muaj. Sot vetëm deputete, Spiropali u shkarkua nga detyra si kryediplomate më 26 shkurt 2026 me vendim të kryeministrit Edi Rama.
Pati një sërë aludimesh se çfarë e solli shkarkimin e saj nga detyra, por duket se që prej atij momenti dolën në pah përplasjet e para brenda partisë mes Spiropalit dhe Ramës. Me qëndrimin e saj kundër politikave të Ramës, Spiropali doli publikisht me nisjen e protestave.
Nëpër deklarata ajo ka thënë se PS është e përqëndruar në duart e një individi dhe se demokracia është përjashtuar. Madje ajo dërgoi në kryesinë e partisë dhe një draft për riorganizim, ndërsa Rama e shkarkoi përfundimisht nga forumet drejtuese.
/tvklan.al












Botërori 2026 