20 nëntor 2026 – Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj ka reaguar publikisht pas akuzave për presion nga deputetja e PS Elisa Spiropali, të bëra mbrëmjen e djeshme në një studio televizive.
Ish-kryeparlamentarja pretendon se Belinda Balluku i ka ushtruar presion duke i dërguar “në derë” Tatimet ndërsa Ilir Binajn e konsideron si të emëruarin personal të ish zv.kryeministres.
“Të pandehur, me dosje, me problematika të rënda me drejtësinë, mund ende të përdorin institucionet e shtetit shqiptar për t’i bërë presion deri edhe ish-kryetares së Kuvendit, deputetes së Partisë Socialiste. Atëherë, çfarë ndodh me individët që protestojnë në rrugët e Shqipërisë? Kush u shkon atyre në derë? Kush u shkon? Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, i cili është i emëruari personal i Belinda Ballukut, ministri që është i emëruar prej saj, apo qeveria e cila është brenda kësaj gjykatëse“, ka deklaruar Spiropali.
Binaj thotë publikisht se që në kohën që ka marrë detyrën si drejtues i Tatimeve, nuk ka zhvilluar asnjë takim personal me Belinda Ballukun, përveç atyre publike për shkak të detyrës.
“Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar. Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.
Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali. Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare”, tha Binaj.
Ndër të tjera, Binaj i kthen Spiropalit akuzën duke thënë se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë kërcënuar me jetë inspektorë për shkak se nga kontrollet ligjore në bizneset e tyre, pjesë e sektorit të ndërtimit, janë evidentuar dyshime për evazion tatimor.
“Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.
Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.
Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme”, tha Binaj.
Reagimin e tij, Binaj e mbyll duke i thënë Spiropalit se intimidimi i administratës publike përbën shkelje të rëndë etike e ligjore dhe se nuk do të lejonte që dinjiteti i tij të cenohej.
“I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës. Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore”, tha Binaj.
Elisa Spiropali i ka shërbyer Partisë Socialiste që nga Forumi rinor në një moshë fare të re. Ajo ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, përmendur këtu si kryetare e Parlamentit dhe si Ministre e Jashtme për disa muaj. Sot vetëm deputete e PS, Spiropali u shkarkua nga detyra si kryediplomate më 26 shkurt 2026 me vendim të kryeministrit Edi Rama.
Pati një sërë aludimesh se çfarë e solli shkarkimin e saj nga detyra, por duket se që prej atij momenti dolën në pah përplasjet e para brenda partisë mes Spiropalit dhe Ramës. Me qëndrimin e saj kundër politikave të Ramës, Spiropali doli publikisht me nisjen e protestave. Nëpër deklarata ajo ka thënë se PS është e përqëndruar në duart e një individi dhe se demokracia është përjashtuar. Madje ajo dërgoi në kryesinë e partisë dhe një draft për riorganizim, ndërsa Rama e shkarkoi përfundimisht nga forumet drejtuese më 14 nëntor, nga Asambleja e PS-së.
/tvklan.al












Botërori 2026 