Perlat Musta ishte një ndër lojtarët që iu afruan ëndrrës së Botërorit. Në kualifikueset e Kupës së Botës 1986, kuqezinjtë shpresuan shumë duke luftuar deri në fund. Musta, i cili mbrojti në atë edicion portën e Shqipërisë në të gjashtë takimet, thotë se Kombëtarja e sotme ka shansin të luajë në finalet e Botërorit 2026, një aktivitet që do të transmetohet ekskluzivisht në TV Klan.

“U bë dy edicione që marrim pjesë në finalet e Europianit, që janë nga niveli më i lartë, ashtu siç është Botërori që ëndërrojmë dhe shpresojmë që të kualifikohemi. Them që çdo gjë është e realizueshme. Janë po këta që e kanë sjellë ekipin deri këtu”, tha ai.

Shqipëria do të luajë play off të Kupës së Botës 2026. Fillimisht do të përballet me Poloninë më 26 mars në Varshavë dhe, nëse e kalon me sukses, më 31 mars me fituesin e përballjes Ukrainë – Suedi për një vend në fazën finale. Në intervistën për FSHF TV, legjenda e portës shqiptare kujton edhe emocionet ndaj skuadrave me emër si Gjermania.

“Nuk mund të veçoj, por me ekipet e mëdha ku luanin lojtarë të mëdhenj, ishin të veçanta. S’mund të mohosh dot Rummenigge, Littbarski. Kam luajtur kundër Breitner. Flas për emra të futbollit botëror, siç janë sot Ronaldo e Messi”, u shpreh Musta.

Perlat Musta, në karrierën e tij mbi 20-vjeçare, luajti më së shumti me Partizanin, por edhe me Dinamon e Bukureshtit.

Tv Klan

/tvklan.al