Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas denoncimit të Princ Lekës për ushtrim dhune nga ish bashkëshortja dhe ish-vjehrri i saj. Institucioni i akuzës regjistroi kallëzimin për veprën penale “Dhunë në familje”.
Shqetësimeve të oborrit mbretëror për publikimin e videos së dhunës në rrjetet sociale, Prokuroria i është përgjigjur se kanë nisur hetimet. Në një njoftim zyrtar shpjegon se video është shpërndarë para se të dorëzohej si provë në Prokurori.
“Nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale. Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova, të mos jetë i hapur.”
Mbremjen e së mërkurës reagoi Policia e Tiranës duke deklaruar se videoja nuk doli nga strukturat e policisë.
Princ Leka II dhe ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia u konfliktuan me njëri-tjetrin pasditen e së martës. Në këtë ngjarje u përfshi edhe babai Elia-s, Gjergj Zaharia. Siç duket edhe në këtë video që është filmuar nga vetë Princ Leka II, ai debaton ashpër me ish-bashkëshorten e cila i kërkon llogari pse i kishte dhunuar të atin. Sherri mes tyre ndodhi në rezidencën e familjes mbretërore.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici, Princ Leka II deklaroi se ai shkoi për të takuar vajzën e tij 3-vjeçare, dhe në këtë moment ish-vjehrri e fyeu dhe kërcënoi në prani të princeshës Geraldinë. Për sherrin e ndodhur në rezidencë, bënë kallëzim në polici edhe Elia e Gjergj Zaharia. Ata pretenduan se janë dhunuar nga Princ Leka, ndërsa të dy palët kërkuan urdhër mbrojtje ndaj njëri-tjetrit.
Princ Leka II dhe ish-bashkëshortja i dhanë fund martesës së tyre 7-vjeçare në dhjetorin e vitit të kaluar. Zyrtarisht kjo u konfirmua në 15 janar të këtij viti. Ishte vetë Princ Leka II që përmes një postimi në rrjetet sociale tha se “duke qenë se martesa e kishte humbur funksionin e saj, kishin vendosur t’i jepnin fund.”
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 