Nisi si një seancë e qetë, por përshkallëzoi në tension mes palëve pas akuzave të Sali Berishës në adresë të maxhorancës për mosmbledhjen e Këshillit të Mandateve.

“Kurrë ndonjëherë, të dashur qytetarë, nuk keni pasur në këtë sallë një grup njerëzish të cilët shkelmojnë mbi interesat tuaja jetike për të mbrojtur, më falni, në pamje të parë vithet e Belindës; në të vërtetë, Edi Ramën”.

“Të ndërpres fjalën, se lejoj këtë fjalor sa të jem unë kryetar i Kuvendit”.

Në kundërpërgjigje, Taulant Balla akuzoi demokratët për dhunë në protestën e 10 shkurtit.

Por Sali Berisha vijoi thirrjet ndaj qytetarëve për tubimin e rradhës. Replikat Berisha i vijoi edhe me Ministren e Brendshme pas mbërritjes së kësaj të fundit në seancë plenare.

“Je gënjeshtar patologjik, përveçse je dhunues dhe porositës kronik i dhunës, i derdhjes së gjakut; e ke në gjen atë gjakun që do të derdhësh. Të kërkosh ndjesë dhe të distancohesh nga dhuna që u ushtrua ndaj policisë së shtetit”.

“Zonja adresë, ngrihesh dhe gënjen. Turp të kesh! Trego, plagët kanë fotografi. Ku i ke? Ku janë? Kanë emra? Cilët janë? Asnjë, asnjë, asgjë. Përkundrazi, protestues paqësorë, kryengritës paqësorë, në lule të ballit me plumb gome që mund të shpojë me probabilitetin më të madh kafkën”.

Mes tensioneve në sallë, Niko Peleshi ndërpreu punimet e Kuvendit, por Sali Berisha akuzat në adresë të Edi Ramës dhe Kryetares së Gjykatës Kushtetuese lidhur me mosbotimin ende në Fletoren Zyrtare të vendimit për çështjen “Balluku” i vijoi jashtë parlamentit.

“Në qoftë se vendimi i parë që i interesonte Edi Ramës u publikua brenda dy orësh, vendimi tjetër mbahet në sirtar, nuk zbardhet nga famozja që kryeson gjykatën, e cila është një militante e verbër e PS; nuk zbardh vendimin në mënyrë që Lubia të ketë kohë për të shkatërruar dokumente bashkë me Ramën. Ju i keni parë kamionët. Kamionët çdo natë me thasë, me baule, dalin nga Kryeministria për të zhdukur gjurmë krimesh”.

Rinisja e punimeve e gjeti sërish në replika Sali Berishën me deputetë të maxhorancës, duke bllokuar për disa minuta foltoren e Kuvendit.

Kaq mjaftoi që socialistët të kërkonin pushimin e rradhës.

“Pushim, nëse nuk reflektohet, do kalojmë në votim”.

Por edhe pas ndërprejes së dytë, Berisha akuzat i vijoi përpara mediave që e prisnin jashtë:

“Ujrat e zeza kanë shpërthyer, qytetarët do të thonë fjalën e tyre….”

Tv Klan

/tvklan.al