Diskutimi për Paketën fiskale dhe projektbuxhetin e vitit 2027 është shoqëruar me debate të forta në Komisionin e Ekonomisë.

Opozita ngriti shqetësimin për mungesën e konsultimeve paraprake me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit, por ministri Malaj theksoi se paketa fiskale bën një rishpërndarje më të drejtë të barrës tatimore.

“Konsultimin me grupet e interesit e quaj të rëndësishme. Në dokumentat e paraqitura vlerësim të ndikimit rregullator për asnjë nga projektligjet. Duhet të paraqitet për cdo aktligjor. Pëer bzineset që do të përballen me kostot shtesë. Nga 5 projektligje vetëm për akcizat raportoni se keni mbledhur këshillin tatimor për 4 të tjera ju nuk keni raportuar asnëj konsultim të bëra me bizneset”, tha deputeti i PD, Enno Bozdo.

“Paketa fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2027 është pikërisht një zgjedhje, dhe dua ta them qartë që në fillim: kjo paketë nuk është bërë për të marrë më shumë nga xhepi i qytetarëve, ajo është bërë për të shpërndarë më drejtë barrën që të gjithë së bashku mbajmë. Masa kryesore është heqja e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe naftën me vlerën 27 lekë për litër, bashkë me efektin e TVSH-së, duke lehtësuar kostot e qytetarëve, transportuesve dhe fermerëve”, tha Ministri i Financave, Petrit Malaj.  

Por krahas debatit mbi përmbajtjen e akteve ligjore, debati në komision u tensionua edhe për shkak të procedurave.

Opozita ka akuzuar mazhorancën se po kalon projektbuxhetin pa dëgjuar më parë zërin e subjekteve dhe dhomave të huaja të tregtisë, duke sjellë përplasje të forta mes deputetëve.

“A nuk do të ishte mirë të dëgjonim këto biznese dhe të merrnim mendimet e tyre? Si të vazhdojmë debatin kur nuk dëgjojmë subjektet? Paratë s’janë të Ramës, janë të taksapaguesve!”, tha deputeti i PD, Igli Cara.  

“Përgjigjet do merren në mënyrë shteruese edhe informacionin që kërkuat do jua përcjellim nesër”, tha Malaj.

Opozita ka paralajmëruar vijimin e pyetjeve dhe qëndrimeve të saj në seancat e nesërme, ndërkohë që votimi në seancë plenare është parashikuar të mbahet më 26 nëntor.

/tvklan.al