Nisi paqësisht për të kërkuar arsim cilësor dhe kushte më të mira, por më pas protesta e thirrur nga studentët këtë të martë përpara Ministrisë së Arsimit përshkallëzoi në përplasje të forta fizike me policinë, që zgjatën për më shumë se 7 orë.
Fillimisht, të rinjtë shkulën kangjellat rrethuese dhe u futën në ambientet e brendshme të ministrisë. Disa prej tyre qëlluan me gurë, pllaka trotuari e objekte të tjera drejt fasadës së godinës, duke shkaktuar thyerjen e xhamave të dritareve.
Në këtë moment tensioni, policia ndërhyri duke krijuar kordon dhe më pas hodhi ujë me autobot, si dhe gaz lotsjellës, për të shpërndarë turmën.
Mes protestuesve dhe efektivëve të policisë pati edhe përplasje të forta fizike.
Tensionet vijuan në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit, pas shpërndarjes, u rigrumbulluan, duke hedhur mjete piroteknike e sende të forta në drejtim të efektivëve.
Nuk munguan as flakët. Siç duket në këto pamje, të rinjtë dogjën fillimisht një billboard reklamues.
Pre e dhunës ra më pas një biznes privat, një institucion kreditimi, ambientet e të cilit janë plaçkitur nga persona të maskuar.
Protestues të maskuar kanë hyrë edhe në ambientet e Bashkisë së Tiranës. Ata kanë hedhur gurë drejt institucionit dhe kanë ndezur flakadanë brenda tij.
Dhunës nuk i ka shpëtuar as Nunciatura Apostolike, përfaqësia diplomatike e Selisë së Shenjtë në Shqipëri.
Disa protestues u ngjitën mbi kangjellat e godinës, por zbritën pas lutjeve të disa prej murgeshave që qëndrojnë aty.
Dëmtime janë shkaktuar edhe në akse të ndryshme të kryeqytetit, ku janë hequr pemë dekorative.
Një tjetër incident është regjistruar pranë Rrugës së Barrikadave, ku është goditur muri rrethues i një kantieri ndërtimi dhe të rinjtë kanë tentuar të marrin një mjet pune.
Në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit sqaron se një grup protestuesish nuk iu është bindur thirrjeve për të ndalur dhunën dhe 23 prej tyre janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.
Policia njofton gjithashtu se, si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Në Spitalin e Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore dy gazetarë, tre protestues, si dhe dy kalimtarë.
Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 