Në emisionin Opinion në Tv Klan u diskutua në lidhje me përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste. Të ftuar në emision, disa gazetarë dhanë mendim për këto përplasje.

Në lidhje me përplasjen e kryeministrit me Elisa Spiropalin, gazetari Arbër Hitaj deklaroi se po zhvillohet betejë për drejtuesin e ardhshëm në PS.

Gazetari Anri Bala u shpreh se Spiropali ka mbajtur poste të larta, duke qenë me PS-në dhe sot nuk mund të jetë një ‘flamingo’. Gazetari Artan Hoxha nënvizoi se deklaratën e Spiropalit ndaj kryeministrit e lexon si deklaratë lufte.

Arbër Hitaj: Ne po shikojmë përplasje në PS. Beteja në PS ka filluar. Kjo është një betejë për drejtuesin e ardhshëm të PS-së. Beteja finale është për pozicionin e kryetarit. Ka nisur rënia e Ramës, për shkak të protestave dhe problemeve me korrupsionin. Kritikët e kanë kuptuar se Rama po bie në mënyrë të pakthyeshme. Spiropali po futet në betejën e madhe. E shikoj Spiropalin si kandidate për të qenë drejtuese e Partisë Socialiste.

Anri Bala: Spiropali ngre pikëpyetje më shumë politike, duke u nisur nga mënyra sesi Rama drejton partinë. Një person që ka pasur postet më të larta në PS, nuk mund të jetë sot një “flamingo”. Kur Spiropali ka qenë në poste të rëndësishme, nuk e ka thënë as edhe një kritikë. Elisa Spiropali nuk shkon dot tek Edi Rama, por përmend emra të tjerë. Sakaq, Veliaj, për dallim, ia atribuon situatën në PS krejtësisht Edi Ramës. Unë besoj se asnjë nga personazhet nuk mund të krijojë diçka të veten, pasi kanë pasur gjithmonë pushtet të deleguar. 

Artan Hoxha: Elisa Spiropali nuk e pranoi largimin e saj si ministre. Spiropali u shfaq e pakënaqur me largimin nga pozita e ministres së Jashtme. Deklaratën e Spiropalit e lexova si deklaratë lufte. E shoh të vështirë që Spiropali të krijojë një grup kërcënues për Edi Ramën. Por, Elisa Spiropali i shkakton dëme morale Ramës. Veliaj nga ana tjetër drejton Bashkinë e Tiranës nga burgu, që është një instrument i rëndësishëm, që ka në dorë kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Sakaq, një mendim e dhanë edhe për përplasjen e ashpër mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Për gazetarin Anri Bala, Veliaj po bën gabim që po shkarkon njerëz nga puna në Bashkinë e Tiranës.

Gazetari Artan Hoxha vlerësoi se Rama është duke përdorur presione, që të heshtë njerëzit në PS. Ndërsa, gazetari Hitaj deklaroi se nuk do e imagjinonte dot, që përplasja mes Ramës e Veliajt do shkonte në këtë pikë.

Anri Bala: Përplasja mes Ramës dhe Veliajt është e ashpër. Rama nisi luftë me Veliajn, sepse e shkarkoi. PS e votoi shkarkimin e Veliajt me votat e PS-së. Veliaj po bën gabim me shkarkimet që po bën në bashki.

Artan Hoxha: Veliaj ka ardhur në pikën, që beson se nëse Ramës i intereson, edhe mund ta vrasë. Edi Rama përdor presione, që të mbyllin gojën edhe të tjerët në Partinë Socialiste.

Arbër Hitaj: Erion Veliaj ka bërë një deklaratë shumë të fortë, që Rama mund të më vrasë. Është e paimagjinueshme, që akuzat politike do shkonin në këto nivele. Erion Veliaj është i bindur se mbrapa burgosjes së tij qëndron Edi Rama, kjo është kryengritje e drejtpërdrejtë. Ky rebelizëm, jam i sigurt, se do të pasohet edhe me rebelizma të tjerë.

/tvklan.al