Duket se votimi pro me shumicë i Dimal Bashës si kryeparlamentar i Kosovës, nuk është pritur mjaftueshëm mirë nga vetë partia Levizja Vetëvendosje.
Pakënaqësia brenda partisë duket mjaft e madhe, teksa kanë nisur dhe dorëheqjet e para nga poste të rëndësishme.
Një prej këtyre dorëheqjeve, është ai i Liburn Aliut, ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës. Vetë Aliu, përmes një postimi në rrjete sociale, zbuloi se arsyeja e dorëheqjes lidhet me zgjedhjen e Bashës në krye të Parlamentit.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”, shkruajti Aliu.
Nga ana tjetër, Albulena Haxhiu ka dhënë dorëheqjen nga pozita e ministres së Drejtësisë, me qëllim për t’u bërrë zëvendëse e kryeparlamentarit, Dimal Berisha. Në vendin e Haxhiut, është emëruar në detyrë Blerim Sallahu. Ky i fundit, ka qenë zëvendësministër në këtë institucion.
Nuk dihet ende nëse do të ketë dorëheqje të tjera, por i “palumtur” nga zgjedhja e Bashës duket dhe vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili nuk ka dhënë asnjë reagim për kryeparlamentarin dhe zgjidhjen e një krize politike disa mujore, por as nuk e ka uruar atë. Në këtë mënyrë, duket se përforcon idenë që Basha ka qenë një emër ndoshta “jo i dëshirueshëm” për Vetëvendosjen.
Mund të themi se Basha është një zgjedhje e bërë me “detyrim”, pasi Vetëvendosja kishte si synim që Albulena Haxhiu të zotëronte këtë pozicion, por kjo e fundit nuk mori asnjëherë votat e nevojshme, pasi ajo shihej nga opozita si figurë përçarëse.
Por edhe pse është zgjidhur një nga problemet e krizës politike të Kosovës, zgjedhja e kryeparlamentarit, një pengesë tjetër mbetet zgjedhja e nën kryeparlamentarit nga radhet e komunitetit serb. Deri më tani, nënkryetaret e përzgjedhur janë Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepi nga komuniteti boshnjak.
Përzgjedhja e nënkryetarit nga radhet serbe, do të mundësojë më pas formimin e Qeverisë së Re te Kosovës.
Kujtojmë se më 26 gusht 2025, Dimal Basha fitoi 73 vota pro, 30 kundër dhe tre abstenime për t’u caktuar si kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës.
Paula Gjergji /tvklan.al












Botërori 2026 