Afro 7 për qind e energjisë neto në vend gjatë tremujorit të dytë të këtij viti është prodhuar nga fotovoltaikët.

Ndonëse ende një shifër e ulët në raport me totalin e energjisë që prodhohet në vendin tonë, kjo shifër është 5-fish më e madhe se sasia e energjisë së prodhuar nga dielli për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT nga Prilli deri në Qershor të këtij viti prodhimi i energjisë nga dielli arriti në afro 124 mijë megavatorë nga 26 mijë megavatorë që u prodhua në të njëjtën periudhë të 2023.

Ndërkohë sa i takon totalit të energjisë gjatë tremujorit të dytë, vihet re një rënie e ndjeshme prodhimit, kjo edhe për shkak të mungesës së reshjeve.

Më konkretisht sipas INSTAT gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024 prodhimi neto vendas i energjisë elektrike u ul me 18,9 %, duke arritur vlerën 1.8 milionë GWh nga afro 2.3 milionë GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2023.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 44,6 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 48,6 % dhe nga fotovoltaikët në masën 6,8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Por siç shihet edhe nga të dhënat e INSTAT për herë të parë këtë tremujor hidrocentralet publike kanë prodhuar më pak energji se ato private.

Mungesa e energjisë së prodhuar në vend ka detyruar autoritetet që t’i drejtohen tregut të jashtëm për të siguruar nevojat. Kështu importi bruto i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit 75 %, ndërsa eksportet shënuan një rënie me 15.4 %.

Tv Klan