Zyrtarët e Brukselit vazhdojnë të vlerësojnë performancën e Qeverisë Shqiptare për përmbushjen e reformave të ndërmarra si pjesë  e procesit të integrimit të vendit në BE.

Drejtori për Ballkanin perëndimor në drejtorinë e zgjerimit të KE Pierr Mirel, deklaroi pas një takimi me kryeministri Berisha, se pavarësisht nga ecuria e reformave kryesore siç është lufta kundër korrupsionit, reformat zgjedhore dhe reforma në drejtësi, puna duhet të vazhdojë më tej.

Ai vuri theksin, se të gjitha këto procese të rëndësishme duhet të realizohen në bashkëpunim me opozitën.

Pierre Mirel: “Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma të qëndrueshme përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu si vendet e tjera të rajonit Shqipëria ka një proces të gjatë sidomos përsa i përket luftës kundër korrupsionit, për të cilin janë marrë masa të duhura. Por duhet të vazhdohet të merret edhe më tej. Ajo që kemi vrenjtur është se ka progres.”

Ndërkaq kryeministri Berisha ka garantuar se qeveria është e vendosur të vijojë këto reforma, por edhe të dialogojë me opozitën për çështjet kryesore.

Sali Berisha: “Me opozitën ka një dialog konstant dhe në jemi të vendosur të punojmë bashkërisht për kodin zgjedhor. Ekspertët tanë kanë kontakte të vazhdueshme. Unë jam i bindur që do të gjejmë gjuhën e përbashkët siç e gjetëm për ndryshimet kushtetuese dhe për të lënë mbrapa dushkun, do të gjejmë gjuhën e përbashkët për ti dhënë bazën më të mirë ligjore procesit zgjedhor. Fushë tjetër e rëndësishme është prokuroria dhe drejtësia, nuk mund të ketë në gjykimin tim qëndrime të ndryshme përsa i përket këtyre institucioneve.”

Zyrtari i Brukselit tha se përsa i takon liberalizimit të vizave nuk ka afate. Pasi edhe ky është një proces që është i lidhur ngushtë me përmbushjen e reformave. Edhe zgjidhja e çështjes së pronësisë ishte një tjetër pikë e rëndësishme e bisedimeve që zoti Piere Mirrel zhvilloi me kryeministrin Berisha.

Ai kërkoi që kjo çështje të marrë zgjidhje, pasi ndikon në rritjen e investimeve. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Bruksel u takua dhe me ministrin e jashtëm Lulzim Basha dhe ministren e integrimit Majlinda Bregu./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama