Policia e Sarandës ka bërë të mundur arrestimin e 55-vjeçarit A.B., që plagosi me thikë bashkëshorten e tij një ditë më parë (31 Mars).

Sipas njoftimit të policisë për mediat, mësohet se ai është arrestuar në zonën e quajtur “Kthesa e Kokomës”, i cili ishte rrethuar nga forca të shumta policie.

Ndërkohë uniformat blu bëjnë me dije se 51-vjeçarja ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

“Falë punës së pandërprerë dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit A. B., brenda 24 orëve nga momenti i ngjarjes, në vendin e quajtur “Kthesa e Kakomës”, në kushtet kur ishte bërë i pamundur largimi i tij, si rezultat i kontrolleve të shumta policore në terren.

Shtetasja e dëmtuar, M. B., ndodhet e shtruar në spital, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

/tvklan.al