Pas atentatit me 4 të plagosur mbrëmjen e 17 Prillit në Lundër, autorët e krimit lëvizën me drejtim për në Elbasan dhe dogjën motorin e krimit në fshatin Fikas në Mullet.
Motomjeti u gjet nga Policia këtë të shtunë, afro 5 kilometra larg vendit të ngjarjes i djegur, teksa autorët kanë humbur gjurmët.
Ndërkohë në ngjarjen ku u plagosën 4 personat, mes tyre dy të mitur 11 dhe 17 vjeç, një tjetër mjet që po lëvizte në daljen e Unazës pranë Lundrës, ka rënë pre e të shtënave me armë, por fatmirësisht pa humbje jete.
Plumbat kanë goditur një autoveturë tip Ford në pjesën e trasesë. Drejtuesi i saj, sapo ka dëgjuar të shtënat është larguar me shpejtësi, por një ditë më vonë është paraqitur në polici për të denoncuar faktin.
Për hetuesit ai ka deklaruar se nuk kishte arritur t’i shihte autorët, pasi çdo gjë kishte ndodhur shumë shpejt. Grupi i hetimit vijon të dyshojë se autorët kanë ngatërruar objektiv.
Për këtë arsye, duke qenë se 4 personat e plagosur ndodheshin në një mjet “G Class”, hetuesit kanë marrë në pyetje persona të tjerë që jetojnë në të njëjtën zonë dhe që përdorin makina të të njëjtit tip.
Deri tani policia nuk ka përjashtuar asnjë pistë, për shkak se dy ditë nga ngjarja, nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë që mund t’i lidhë me autorët e kësaj ngjarje të rëndë, ku breshëritë e kallashnikovit u zbrazën edhe ndaj fëmijëve.
Mbrëmjen e të premtes dy të miturit, 11 dhe 17 vjeç janë transportuar për në Itali për mjekim më të specializuar. Ndërsa 19-vjeçari dhe 34-vjeçari që ishte në drejtimin e mjetit janë në gjendje të stabilizuar.
Tv Klan