Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen e dyfishtë me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së martës, më 8 shtator, në zonën e Laprakës. Në një njoftim për mediat, autoritetet bënë të ditur se kanë mundur të identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes. Bëhet fjalë për një 36-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, shkak për plagosjen e dyfishtë u bë një konflikt për motive të dobëta. Autori i dyshuar, pasi qëlloi në drejtim të dy personave në fjalë, të cilët janë miq me njëri-tjetrin, u largua me makinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20 të së martës. Të plagosurit u dërguan në spital, ku dhe ndodhen aktualisht, jashtë rrezikut për jetën.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore kryer nga specialistët e sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes me armë zjarri, të shtetasve D. T. dhe B. D. (miq me njëri-tjetrin), rreth orës 21:20 të datës 08.09.2026, në Laprakë, u mundësua identifikimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit A. K., 36 vjeç, banues në Tiranë. 36-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 2 shtetasve, për motive të dobëta, dhe është larguar me automjet. Të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit A. K”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.












Botërori 2026 
