Një 34-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri këtë të premte, më 20 shkurt, në Tiranë. Ngjarja ndodhi te Rruga e Kavajës dhe paraprakisht dyshohet se shkak u bë një konflikt banal.

34-vjeçari me iniciale A. K. mbeti i plagosur në bark. Ai u dërgua në spital për ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Sa i përket autorit të dyshuar, ai është identifikuar, por vijon të jetë në arrati.

Dyshimet e para janë se shkak për ngjarjen mund të jetë bërë një vajzë. Megjithatë, kjo mbetet ende për t’u konfirmuar.

Plagosja ndodhi rreth 10 minuta pasi një i ri mbeti i vrarë me thikë, jo shumë larg zonës ku ndodhi plagosja (Lexo më shumë). Por kjo duket të jetë thjesht rastësi, pasi këto ngjarje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës tha se po punon për kapjen e autorëve të të dyja këtyre ngjarjeve dhe po punohet për kapjen e tyre.

“-Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi E. P, rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital. -Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi A. K., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”.

“Policia i ka identifikuar autorët e këtyre dy ngjarjeve, të dhënat e të cilëve nuk jepen, për shkak se hetimi vijon. Punohet intensivisht për kapjen e tyre. Ndërkaq, grupet hetimore vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të rasteve dhe dokumentimin e plotë ligjor të tyre si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.