Një i ri mbeti i vrarë me thikë këtë të premte, më 20 shkurt, në Tiranë. Sipas asaj që mëson paraprakisht gazetari Besar Bajraktaraj, ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Kongresi i Lushnjes” dhe në konflikt dyshohet se u përfshinë të paktën tre persona.

Po sipas gazetarit, viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur 31-vjeçari Egli Pashollari.

Në foto viktima

Ai dyshohet se është sulmuar menjëherë sapo ka dalë nga makina nga tre persona, dy djem dhe një vajzë. Gjatë përleshjes fizike, njëri prej djemve e ka goditur të paktën një herë në kurriz.

Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali dhe me makinën e tij e kanë nisur drejt spitalit disa persona të tjerë, dëshmitarë në vendngjarje. Ai humbi jetën gjatë rrugës për në spital.

Policia mësohet se ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes, por kapja e tyre nuk është bërë e mundur ende. Krimi, që ndodhi në trotuar, u regjistrua nga kamerat e sigurisë në zonë.

Nga të dhënat e deritanishme, vrasja raportohet të ketë ndodhur pasi autorët dyshonin se viktima i kishte ngacmuar motrën.

Vetëm 10 minuta më vonë, në një tjetër ngjarje, jo shumë larg zonës ku ndodhi vrasja, një person mbeti i plagosur me armë zjarri. Deri në këto momente nuk raportohet që ngjarjet të kenë lidhje me njëra-tjetrën.

Vetë policia e Tiranës, në një informacion paraprak për të dyja këto raste, tha: “Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi E. P., rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.

Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi A. K., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia i ka identifikuar autorët e këtyre dy ngjarjeve, të dhënat e të cilëve nuk jepen, për shkak se hetimi vijon. Punohet intensivisht për kapjen e tyre”.

Grupet hetimore vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjeve dhe dokumentimin e plotë ligjor të tyre, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

Në përditësim…