Në zonën e Oxhakut, në njësinë 4 në Tiranë, mbeturinat kanë rrethuar edhe Qendrën Shëndetësore Numër 10.

“Ambulanca është këtu dhe nuk i heqin. S’kalon dot. Këtu kalojnë edhe kalamajtë se është kopshti. Dy muaj, mos më shumë”, thotë një banor.

“Shumë e rëndë situata. Ka goxha kohë që është rëndë situata. Duhet të merren masa. Bashkia është prezente çdo ditë për gjoba makina, për plehrat nuk është prezente. Shumë shqetësuese është. Aroma, rruga, katastrofë duket vetë”, shprehet një tjetër.

“Bashkia ka cof. Nuk është e pëlqyeshme ajo aroma e tyre. Ky është një problem që duhet zgjidhur urgjentisht”, shton një tjetër.

Shqetësimet banorët ia kanë shprehur prej muajsh bashkisë së Tiranës, por gjendja sa vjen e përkeqësohet, siç duket në këto pamje. Edhe hapësirat e përbashkëta nëpër sheshet e pallateve, ku zakonisht luajnë fëmijët dhe pushojnë të moshuarit, janë zënë nga plehrat.

Banorët thonë se punonjësit e kompanisë së pastrimit “Eco Tirana” nuk kalojnë prej ditësh për t’i marrë mbeturinat.

“Shumë shqetësuese është pjesa e ndotjes. Këtu ka familjarë, fëmijë të vegjël. Hera e fundit që mund t’i kem parë t’i marrin para 10 ditësh”.

“Shiko ku po i mbaj fëmijët, shqetësojnë këta këtu por s’kam çfarë të bëj, shih si është atje. Policia bashkiake kot, sa për filma. Përditë i njëjti muhabet, vetëm mikrobe. Shiko ku rrinë fëmijët. A paguajmë taksa? Ja, urdhëro taksat tona. Bashkia vjen kot, është kot. Nëse është e zënë rruga, çfarë bën policia bashkiake? Po të vish pas një jave i ke më keq. Bashkia s’e vë ujin në zjarr fare”.

Situata është e njëjtë në të gjithë Tiranën. Kazanët e amortizuar janë të mbushur plot e përplot dhe mbetjet derdhen edhe nëpër rrugë e trotuare.

“Kanë gati dy muaj aty. Nuk i heqin”, pohon një banor.

“Duhen pastruar. Këtu nuk është normale që të rrinë, duhen hequr patjetër”, shprehet një tjetër.

Pavarësisht ankesave të vazhdueshme të banorëve, kompania “Eco Tirana” dhe Bashkia e Tiranës nuk reagojnë, ndërsa me temperaturat që po arrijnë pikun, situata nëpër rrugët dhe lagjet e kryeqytetit është bërë e padurueshme.

Tv Klan

/tvklan.al